EURO 2024: Disa fakte për Kampionatin Evropian në Gjermani

Kampionati Europian i Futbollit (KE) do të mbahet në Gjermani. Ne u përgjigjemi pyetjeve më të rëndësishme në lidhje me EURO 2024. Cilët janë pjesëmarrësit dhe favoritët, ku zhvillohen ndeshjet?

Cilët janë favoritët kryesorë në këtë Kampionat Evropian?

Anglia, nënkampionia aktuale e Evropës, ka vlerësimin më të mirë në bastoret për këtë Kampionat Evropian në futboll. Më pas vijnë Francadhe Gjermania, e cila është nikoqire e KE. Italia, si kampione në fuqi, është vetëm në vendin e gjashtë, për sa i përket koeficienteve të basteve. E nëse i besojmë bastoreve në Gjermani, ndër ekipet që më së paku kanë shanse të fitojnë janë Shqipëria, Sllovakia dhe Gjeorgjia, që marrin pjesë për herë të parë në spektaklin e kombëtareve më të mira europiane. Kroacia është e nënta në listën e të preferuarave, ndërsa Serbia shihet në bastore në pozitën numër 14.

Ndërsa nëse shohim renditjen aktuale të FIFA-s të kombëtareve më të mira në botë, titullin do të duhej ta fitonte Franca, e cila është në pozicionin e dytë në këtë renditje, menjëherë pas kampionëve të botës nga Argjentina. Belgjika është në vendin e tretë në listën e FIFA-s, Anglia në pozicionin 4-t, ndërsa  Portugalia renditet e 6-a. Gjermania është në vendin e 16-të në mesin e kombëtareve më të mira në botë, pra skuadra e nëntë më e mirë nga Evropa. Në renditjen botërore të të gjitha vendeve pjesëmarrëse në EURO 2024, debutuesit nga Gjeorgjia kanë pozitën më të keqe – në pozicionin e 75-të.

Si luhet turneu?

Është i njëjti modalitet si në Kampionatin e fundit Evropian, i cili u mbajt në vitin 2021, në njëmbëdhjetë shtete. Në atë kohë në turne morën pjesë 24 ekipe kombëtare. Së pari luhet faza e garave në grupe, në gjashtë grupe ku janë nga katër skuadra. Skuadrat e para dhe të dyta, si dhe katër skuadrat më të mira të vendit të tretë, do të kualifikohen në fazën e 16-të më të mirave. Nga ky moment fillon edhe “sistemi i nokautit” – për të kaluar në çerekfinale, gjysmëfinale dhe finale. Sistemi është shumë i thjeshtë: Fituesi vazhdon garat, humbësi shkon në shtëpi. Nëse pas 90 minutave të rregullta rezultati në këtë fazë të garës është i barabartë, do të luhet koha shtesë (2×15 minuta). E nëse nuk ka fitues as pas kohës shtesë, vendimi merret nga pika e bardhë – pra fituesi përcaktohet me penallti. Kampionati hapet me 14 qershor, ndërsa finalja është planifikuar për datën 14 korrik në Berlin, në stadiumin Olimpik.

Ku mbahen ndeshjet?

Ndeshjet (51 gjatë gjithë turneut) luhen në dhjetë stadiume në Gjermani. Më së shumti ndeshje do të zhvillohen në fushën e Stadiumit Olimpik (kapaciteti 71.000 ulëse) në Berlin, në Arenën e Mynihut (66.000) dhe në stadiumin e Dortmundit (mbi 80.000 ulëse) – aty luhen nga gjashtë ndeshje në EURO 2024. Në Berlin do të zhvillohen finalja, një çerekfinale dhe katër ndeshje të tjera. EURO 2024 do të hapet më 14 qershor në Mynih, ku do të përballen Gjermania dhe kombëtarja skoceze.

Pesë ndeshje luhen në stadiumet në Shtutgart (51.000), Hamburg (49.000), Düsseldorf (47.000), Frankfurt (47.000) dhe Këln (43.000), ndërsa katër në Leipzig (40.000) dhe Gelsenkirchen (50.000).

Ku mund të shikohen ndeshjet (jashtë stadiumit)?

Nën moton “EURO 2024 Festival” do të organizohen të ashtuquajturat fan-zona në të gjitha qytetet ku luhen ndeshjet, pra vendet ku ndeshjet e luajtura në EURO 2024 do të shfaqen në ekranet e mëdha nëpër qytet. Të gjitha shikimet publike janë falas, por kapaciteti është i kufizuar. Ashtu si gjatë Kupës së Botës në vitin 2006, dhjetëra mijëra tifozë futbolli priten në vende të tilla si Porta e Brandenburgut në Berlin, Parku Olimpik në Mynih ose në Frankfurt dhe qytete të tjera.

Cila është situata e sigurisë?

“Siguria e KE në futboll është një prej çështjeve më të rëndësishme në Gjermani,” thotë ministrja e Brendshme Nancy Faeser. “Në të gjitha qytetet ku luhen ndeshjet, pra kudo ku do të ketë shumë njerëz, policia do të rrisë ndjeshëm praninë e saj”. Gjatë turneut është planifikuar të vendosen kontrolle të përkohshme kufitare. Autoritetet e sigurisë së Republikës Federale të Gjermanisë para së gjithash duan të parandalojnë hyrjen e terroristëve dhe huliganëve në vend. Gjatë turneut në Gjermani, qeveria britanike do të ndalojë ardhjen këtu të një numri të madh tifozësh (rreth 1.600 prej tyre) që janë të gatshëm për dhunë.

Policia federale, e cila është përgjegjëse për zbatimin e kontrolleve kufitare, ka njoftuar tashmë se gjatë EURO 2024, punonjësit e policisë nuk do të mund të bëjnë pushime vjetore, rreth 22 mijë oficerë do të jenë çdo ditë në terren në të gjithë vendin. Ata do të mbështeten edhe nga disa qindra kolegë nga jashtë. Bashkëpunimi me aparatin francez të sigurisë është veçanërisht i ngushtë – për faktin se pas KE në futboll, në Paris mbahen dy ngjarje të mëdha sportive: fillimisht Lojërat Olimpike (26.7.-11.8.) dhe më pas Lojërat Paralimpike (28.8. – 8.9).

Situata e sigurisë, pra kërcënimet e mundshme për sigurinë publike, do të analizohet çdo ditë, njoftoi Ministria Federale e Policisë. Megjithatë, pavarësisht nga të gjitha masat e planifikuara të sigurisë, askush nuk mund të përjashtojë plotësisht mundësinë e sulmeve terroriste apo disa veprimeve të tjera të dhunshme. E kjo u pa edhe në vjeshtën e vitit 2023 – kur një terrorist islamik vrau dy tifozë suedezë të futbollit në Bruksel. Atë mbrëmje në kryeqytetin e Belgjikës u luajt një ndeshje kualifikuese mes Belgjikës dhe Suedisë për t’u vendosur në EURO 2024. Prandaj edhe kërkohet kujdes i shtuar gjatë këtyre manifestimeve./DW

Kampionati Europian i Futbollit 2024 me 51 ndeshje, në plot 31 ditë, me 24 skuadra, në 10 qytete pritëse dhe me 1 qëllim të vetëm, finalen e madhe të Berlinit dhe Trofeu i Fitores do të transmetohet i gjithi, në cilësinë maksimale në platformën Tibo.

Plaforma e dashur për të gjithë shqiptarët, ka arritur me sukses marrëveshjen me Platformën Tring, që i jep Tibo-s së bashku me Tv Klan,  të drejtën e transmetimit të ndeshjeve në dy kanale,  Klan Sport 1 dhe Klan Sport 2 dhe transmetimin e ndeshjeve në formatin OTT IPTV, në të gjithë globin.