‘Ethet’ e zgjedhjeve? Rama mbledh kryebashkiakët në Shkodër

Për dy ditë me radhë në fundjavë, Shkodra do të jetë pikëtakimi i kryeministrit Edi Rama me të gjithë kryebashkiakët socialistë.

Mësohet se të gjithë kryetarët e bashkive do raportojnë para kreut të qeverisë, Rama për punën organizative në Partinë Socialiste, por dhe një pasqyrim të të gjitha problematikave gjatë drejtimit të punës.

Takimi pritet të nisë ditën e shtunë dhe do të zgjasë deri ditën e diel në drekë.

Në takim do marrë pjesë i gjithë e kabineti qeveritar, zëvendësministra, drejtues institucionesh, por edhe të deleguarit e qarqeve, me të cilët kryeministri Rama pritet të diskutojë përmbushjen e detyrave të caktuara nga analiza e shkuar, në Shëngjin.

Diskutimi do jetë pa praninë e kamerave, por me dyer të mbyllura dhe i ndarë në disa panele.

Fokusi kryesor do jetë angazhimi në terren i strukturave të PS deri në zgjedhjet e ardhshme elektorale të 2025-ës. Kryeministri pritet të bëjë edhe një vlerësim të punës së çdo bashkie.

Kujtojmë se më 16 mars, kryeministri do të thërrasë Asamblenë e Socialistëve në qytetin e Durrës.