
Erdogan thirrje nga Shqipëria: Hapa më konkretë kundër FETO-s
Presidenti turk Erdogan vizitoi dje Shqipërinë, ku përuroi edhe shtëpitë e kompleksit të rindërtuara pas tërmetit në qytetin e Laçit.
Pas vizitave formale ai doli në konferencë me kryeministrin Edi Rama, ku foli me tone të prera sa i takon qëndrimit që Shqipëria duhet të mbajë sipas tij ndaj organizatës FETO të Fetullah Gylen.
Ankaraja zyrtare akuzon Fetullah Gylen për veprimtari terroriste dhe përgjegjëse të grushtit të dështuar të shtetit në vitin 2016.
“Fakti që Feto është ende në gjendje të gjejë fushëveprimi në vendin mik dhe vëlla, Shqipërinë, e lëndon thellë popullin tonë, bijtë e bijat, e të cilit kanë rënë dëshmor. Pritshmëria jonë më e sinqertë është që në periudhën, që kemi përpara, të ndërmerren hapa më konkretë, vendimtarë dhe hapa më të shpejtë kundër strukturave të Feto-s në Shqipëri”, u shpreh presidenti turk.
Organizatës FETO, Erdogan i kushtoi një pjesë të rëndësishme të fjalës së tij edhe në Kuvendin shqiptar, ku paralajmëroi se kjo çështje do të ishte përcaktuese në marrëdhëniet mes dy vendeve.
Pas ngjarjeve të korrikut 2016 në Turqi zyrtarët që kanë vizituar Tiranën kanë këmbëngulur vazhdimisht në goditjen e strukturave sipas tyre aktive të FETO-s në Shqipëri.
Shqipëria e konsideron Turqinë një prej partnerëve të saj strategjikë.
Një blloku banimi me 522 apartamente për familjet e prekura nga tërmeti i nëntorit 2019, u ndërtua nga financimet e qeverisë turke, përmes një fondi prej 42 milion eurosh.