
Erdogan fiton zgjedhjet, por humbet Stambollin dhe Ankaranë
Recep Tayyip Erdogan është rizgjedhur për një mandat të tretë pesëvjeçar si president i Turqisë pas një garë të ngushtë me rivalin republikan, Kemal Kiliçdaroglu. Erdogan mori 2 milionë vota më shumë se kundërshtari i tij, por nuk arriti të siguronte votat e të pavendosurve dhe atyre që nuk votuan më 14 maj në balotazhin e kësaj të diele.
Sipas të dhënave paraprake nga komisioni zgjedhor turk, pjesëmarrja ishte rreth 85% nga 64 milionë turq me të drejtë vote. Erdogan fitoi në Anadoll, por humbi në rajonet perëndimore dhe lindore të vendit, ku popullsia kurde është më e shumtë. Ndër zonat që humbi presidenti ishin edhe Stambolli dhe Ankara. Megjithatë, fitorja e Kiliçdaroglu në qytetet kryesore dhe zonat më të zhvilluara të Turqisë ishte e pamjaftueshme për të përmbysur diferencën që Erdogan kishte krijuar.
Presidenti siguroi fitoren edhe në zonat e prekura rëndë nga tërmeti, që la pas 50 mijë të vdekur. Me këtë fitore, Erdogan hyri në dekadën e tretë të udhëheqjes së Turqisë, e cila ka filluar që nga viti 2001, si kryeministër dhe pastaj si president.