Eprori s’mund të telefonojë pas orarit, ndryshimet për punonjësit në Portugali

Është miratuar ligji i ri i njohur si “Game-Changer”, ku pronarët e kompanive apo eprorët e punës nuk mund të kontaktojnë apo të ngarkojnë me punë punonjësin nëse ka mbaruar turnin e punës, në zyrë apo në shtëpi. Në të kundërt ata do të gjobiten.

Gjithashtu për të gjithë ata që punojnë nga shtëpia për shkak të Covid, kompanitë ku janë të punësuar duhet t’u paguajnë internetin dhe të garantojnë elektricitetin.

Megjithatë, disa pika të projektligjit portugez nuk u aprovuan, si e drejta për të fikur pajisjet e punës pas orarit zyrtar.

Partia qeverisëse socialiste në Portugali shpreson se miratimi i të gjithë paketës ligjore do tërheqë edhe punonjësit e modelit Digital Nomads – të cilët punojnë online nga lokacione të ndryshme.

Ministrja e Punës dhe Sigurisë Sociale, Ana Mendes Godinho tha për mediat se me ndryshimet aktuale Portugalia mund të konsiderohet si një nga vendet më të mira në botë për punonjësit digjitalë dhe ata që punojnë nga shtëpia.