Epoka e Elon Musk në Twitter nis me shkarkimin e drejtorëve

Pas disa muajsh debate, Elon Musk ka përmbyllur blerjen e Twitter-it për 44 miliardë dollarë duke njoftuar gjithçka në profilin personal me një postim ku me nënkuptim tha se “platforma u lirua”.

Musk ka ngjallur diskutime që me lëvizjen e tij të parë, pasi ka shkarkuar menjëherë grupin drejtues të kompanisë.

Agjencia ndërkombëtare Reuters raportoi se janë larguar Shefi Ekzekutiv, Parag Agrawal, Shefi i Financës, Ned Segal dhe Shefen e Çështjeve Ligjore Vijaya Gadde.

Për drejtuesit në fjalë Musk ka pasur rezerva publike të shprehura edhe përpara se të blinte kompaninë. Ato lidhen kryesisht me pretendimet për numrin real të llogarive të rreme në Twitter.

Por Reuters thotë se largimi i grupit drejtues ka ngjallur shqetësim te rreth 7,500 punonjës, kjo duke pasur parasysh edhe deklaratat e mëhershme të Musk për të shkurtuar ndjeshëm vendet e punës.

Këtë javë, njeriu më i pasur në botë tha se ai nuk e bleu Twitterin për të fituar më shumë para, por “për t’u përpjekur të ndihmojë më tej njerëzimin”.

Manjati i teknologjisë është shprehur se synon të ndërtojë një platformë të re, e cila do të ofrojë gjithçka, nga transfertat e parave deri te blerjet dhe udhëtimet me makinë.

Në të ardhmen e afërt, Musk ka thënë se dëshiron të heqë nga platforma të ashtuquajturit “Bote” të “Spam”-eve, të bëjë transparente algoritmet që përcaktojnë se si promovohen përmbajtjet, dhe të parandalojë që platforma t’u japë jehonë urrejtjes.

Megjithëse ka pasur shumë spekulime rreth qëndrimeve të tij për censurën, shumë mendojnë se ai mund të anulojë vendimin e përjashtimit përjetë të Donald Trump nga platforma.

*Tibo News.