
Energjia elektrike arrin çmime rekord në bursa
Kriza energjitike duket se është pranë pasi energjia elektrike ka arritur nivele rekord në bursë. Gjatë së premtes një megavat po shitet me mbi 750 euro në orar piku. Korporata Elektroenergjitke Shqiptare ka anuluar përsëri tenderin për të blerë energji për fundjavën. KESH po plotëson nevojat e furnizimit të konsumatorëve shqiptarë vetëm nga prodhimi vendas. KESH bën me dije shifrat e rritjes së çmimit të energjisë janë 7 herë më të larta se një vit më parë dhe bën apel për kursim nga qytetarët. Për shkak të prodhimit të lartë të energjisë për të plotësuar nevojat e vendit, niveli i ujit në Fierzë është ulur ndjeshëm duke arritur në 273.7 metra. Qeveria ka paralajmëruar se që prej muajit tetor do të rikthehet fasha për faturimin e qytetarëve.
Familjarët që do të shpenzojnë më shumë se 800 kilovator do të detyrohen të blejnë energjinë elektrike me çmim tregu e cila është deri në 4 herë më shtrenjtë. Kriza energjitike ka prekur një sërë vendesh të rajonit dhe Europës ndërsa ekspertët parashikojnë se gjatë vjeshtës dhe dimrit situata do të përkeqësohet edhe më shumë.Për shkak të vështirësive Maqedonia e Veriut shpalli gjendje krize në sektorin e energjetikës. Ky vendim do të hyjë në fuqi më 1 shtator dhe do të zgjasë për 30 ditë.Ndërkohë që Kosova pak kohë më parë nisi kufizime disa orëshe të energjisë elektrike.