Emigrimi dhe shkalla e lindshmërisë tkurrin popullsinë

Tetë për qind rënie. Për kaq parashihet të jetë zvogëluar popullsia e Kosovës që nga viti 2011, kur u bë regjistrimi i fundit i popullsisë, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK).

Edhe pse numri zyrtar nga regjistrimi i fundit, i cili u zhvillua nga 5 prilli deri më 24 maj, nuk do të publikohet deri në korrik, kryeshefi ekzekutiv i ASK-së, Avni Kastrati, e dha këtë shifër duke shtuar se “ne e dimë që ka tkurrje [të popullsisë]”.

Lajme të ngjashme morën edhe shtetet e tjera të rajonit nga proceset e tyre të fundit të regjistrimit të popullsisë. Mali i Zi është shteti i vetëm i Ballkanit Perëndimor që pati rritje të popullsisë nga procesi i parafundit i regjistrimit në atë të fundit.

Pse ka tkurrje të popullsisë?

Në rastin e Kosovës, një nga shkaqet mund të vërehet në raportet vjetore të ASK-së. Dhjetëra mijëra persona largohen çdo vit nga Kosova drejt vendeve të huaja. Arsyet e tyre janë të ndryshme: bashkim familjar, gjetje e një vendi të punës, studime afatgjate etj.

Gjashtë muaj më parë, ASK-ja bëri të ditur se vetëm gjatë vitit 2022, Kosovën e lëshuan mbi 41 mijë persona, kryesisht me destinacione drejt vendeve të Bashkimit Evropian, SHBA-së, Turqisë e Kanadasë.

Lirim Krasniqi, drejtor në organizatën Germin që merret kryesisht me çështje të diasporës, thotë se “humbja e popullsisë mund të arsyetohet me emigrimin e lartë në 12 vjetët e fundit”.

“Nëse e marrim që numri i të larguarve nga Kosova është mesatarisht 25 mijë deri në 30 mijë në vit, rezulton që kemi humbje të popullsisë deri në 350 mijë persona që nga regjistrimi i fundit i popullsisë”, thotë Krasniqi për Radion Evropa e Lirë.

Një tjetër indikacion se numri i popullsisë është ndikuar nga niveli i lartë i emigrimit, thotë Krasniqi, është edhe numri i qytetarëve që heqin dorë nga shtetësia e Kosovës për të marrë nënshtetësi në vendet që s’lejojnë nënshtetësi të dyfishtë.

Gjatë tre muajve të parë të këtij viti, 693 persona kanë aplikuar për t’u liruar nga nënshtetësia kosovare, me qëllim që të marrin nënshtetësinë e vendeve si Gjermania, Austria, Mali i Zi etj.

“Mbetet të shihet rezultati final, veçanërisht kur të merren edhe të dhënat për regjistrimin nga diaspora, sepse kjo do të na ofrojë një shikim më të saktë rreth kësaj hipoteze [se emigrimi ka ndikuar në rënien e popullsisë]”, thotë Krasniqi.

Për diasporën, mundësia e regjistrimit online përmes platformës eDiaspora do të mbetet e hapur deri në gusht.

Por, rënia e supozuar e popullsisë është më e madhe sesa numri i personave që raportohet se kanë emigruar nga vendi gjatë 13 vjetëve të fundit, apo që nga regjistrimi i vitit 2011.

Atëherë, cilat janë shkaqet e tjera?

Rënia e shkallës së lindshmërisë

Sipas një parashikimi të Institutit të Universitetit të Uashingtonit për Shëndetësi, nga viti 2064, nëpër vendet e botës do të regjistrohen më shumë vdekje sesa lindje.

Një trend drejt këtij realiteti shihet edhe në Kosovë, ku numri i lindjeve dhe vdekjeve është përafruar dukshëm me kalimin e viteve. Nga rreth 46 mijë më shumë lindje sesa vdekje të regjistruara në vitin 1988, dallimi ka rënë në rreth 12 mijë në vitin 2022.

Megjithatë, shkalla e lindshmërisë – që llogaritet numri mesatar i lindjeve për çdo 1.000 persona brenda një viti – është më e lartë në Kosovë sesa në cilindo vend tjetër evropian.

Në botë janë shtetet afrikane ato që kanë shkallën më të lartë të lindshmërisë – dukshëm më të lartë sesa të Kosovës.

Më parë, Nita Luci, profesoreshë në Departamentin e Sociologjisë në Universitetin e Prishtinës, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se siguria ekonomike dhe emancipimi i grave janë ndër faktorët kryesorë që ndikojnë vendimin e prindërve për të pasur më pak fëmijë.

Problemet në procesin e regjistrimit

Disa banorë të komunitetit serb në Kosovë i thanë Radios Evropa e Lirë se regjistruesit nuk kishin trokitur fare në dyert e tyre për t’i regjistruar.

ASK-ja nuk iu përgjigj pyetjes së Radios Evropa e Lirë për numrin e banorëve që kanë refuzuar të bëhen pjesë e regjistrimit dhe për mënyrën se si kjo ka ndikuar në numrin e popullsisë së regjistruar.

Në regjistrimin e vitit 2011, ky proces u bojkotua pjesërisht nga serbët që jetojnë në komunat në jug të Kosovës, ndërsa plotësisht në komunat në veri të vendit.

Të dhënat fillestare nga regjistrimi i popullsisë pritet të publikohen në korrik të këtij viti, ndërsa ato përfundimtare në fund të këtij viti.

Pavarësisht se çfarë do të thonë këto të dhëna, Krasniqi nga Germin thotë se i pret me shumë interes.

“Çfarëdo që të jenë të dhënat, mendoj se do të jenë shumë të vlefshme dhe të rëndësishme. Të dhënat nuk kanë të bëjnë vetëm me numrin e personave, por edhe me profilin e tyre. Është shumë e rëndësishme për të gjitha institucionet që ta kuptojnë profilin e popullsisë”, përfundon Krasniqi./REL