Emigrantët shqiptarë në Britani vs. Suella Braverman

Deklarata e ministres së brendshme britanike, Suella Braverman ka shkaktuar debat dhe retorika të shumta, në Shqipëri dhe në parlamentin britanik.

Ndalur tek çështja e emigrantëve, ministrja Braverman iu referua shqiptarëve që largohen me gomone, duke përdorur termin kriminelë dhe pjesë të grupeve kriminale, që kanë pushtuar vendin.

Në intervistën për Tibo News, gazetarja me origjinë britanike Alice Taylor e cila prej vitesh jeton në Shqipëri thotë se sulmi verbal nuk ka të bëjë veçanërisht me shqiptarët, pavarësisht fluksit të madh që ka patur në muajt e fundit, por sipas saj kjo është edhe një mënyrë për të marrë mbështetje për vota nga politikanët britanikë. Ajo thotë se ka të bëjë edhe çështja e fesë.

Lidhur me protestën që u mbajt më 12 tetor në Britani, nga qytetarë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë atje, Taylor thotë se ka dëgjuar histori të ndryshime dhe se i vjen turp në këtë rast që është britanike, për shkak të retorikës së përdorur për shqiptarët.

Për Alice, problemi është se qeveritë nuk duan të merren me problemet, as qeveria e tanishme dhe as ato të kaluarat nuk e kanë bërë. Ajo veçon gjakmarrjen si një ndër kërkesat më të mëdha për azile dhe sipas saj vërtet që vazhdon të ndikojë në  jetët e njerëzve në Shqipëri.

Presidenti Bajram Begaj ka bërë një propozim, duke thënë se qeveria britanike mund të hapë një mini-konsullatë në Kukës, dhe të garantojë viza të përkohshme pune sezonale, e kjo për shkak se drejt Britanisë prevalojnë të rinj nga Kukësi. Gazetarja Taylor thotë se problemi kryesor është se kjo mini-konsullatë nuk do e zgjidhë problemin.

Komentet e kryeministrit Edi Rama, Alice i quan të drejta, pasi shqiptarët kanë emigruar në disa vende të Europës dhe nuk janë quajtur kriminelë. Por me rezerva shprehet kur thotë se ka shumë çështje që kryeministri duhet t’i përmendë.

Alice Taylor thotë se nuk do dëshironte që vajza e saj tre vjeçe të largohej nga Shqipëria, dhe as ajo vetë. ‘E dua Shqipërinë dhe do vazhdoj të jetoj këtu, thotë ajo duke shpresuar që gjërat të ndryshojnë.

*Tibo News