
Emergjencë në Turqi, tjetër tërmet me magnitudë 7.7. Rritet numri i viktimave
Tërmeti që goditi Turqinë në orët e para të mëngjesit të së hënës ka çuar në më shumë se 1300 viktima dhe më shumë se 5,383 të plagosur në Turqi dhe në Siri, për shkak të epiqendrës së tërmetit pranë kufirit me magnitudë 7.8 të shkallës Rihter.
Presidenti Turk, Erdogan ka konfirmuar se të paktën 912 persona që kanë ndërruar jetë i përkasin Turqisë dhe pjesa tjetër janë sirianë.
“Kjo është fatkeqësia më e madhe e vendit që nga viti 1939”, iu tha Erdogan gazetarëve, duke shtuar se 2818 ndërtesa u shembën si pasojë e lëkundjeve.
Ndërkaq të tjera lëkundje të forta janë regjistruar në Turqi me magnitudë 7.7 të shkallës Rihter.
Epiqendra e tërmetit që goditi Turqinë dhe Sirinë mëngjesin e sotëm ishte afër qytetit të Gaziantepit, në Turqinë juglindore. Por njerëzit në të gjithë vendin si dhe në Siri, Liban, Qipro dhe Izrael, ndjenë se toka lëvizte nga tërmeti me magnitudë 7.8 të shkallës Rihter. Edhe në Rusi raportohet se janë ndjerë lëkundjet.
Shkollat në 10 qytete dhe provincat në të gjithë Turqinë, të goditura nga tërmeti do të mbyllen për një javë.
Qytetet dhe provincat janë Kahramanmaraş, Hatay, Gaziantep, Osmaniye, Adıyaman, Malatya, Şanlıurfa, Adana, Diyarbakır, Kilis.
Gjithashtu fluturimet drejt dhe nga aeroporti në provincën Hatay janë pezulluar, ndërsa aeroportet në Maraş dhe Antep janë gjithashtu të mbyllura për fluturimet civile.
Banorët që kanë ndjerë lëkundjet e forta kanë thënë se një situatë të tillë nuk e kanë përjetuar në 40 vitet e fundit, ndërsa të tjerë ndihen ende të shokuar dhe në panik.
Tërmeti pasues i disa minutave më parë, me magnitudë 7.7 të shkallës Rihter u regjistrua në rajonin e Turqisë Qendrore, 59 km nga Kahramanmaraş, 6 km në lindje të Ekinözü, me thellësi 10 kilometër.
Udhëheqësit botërorë, duke përfshirë kryeministrin britanik Rishi Sunak dhe presidentin francez Emmanuel Macron, janë zotuar të dërgojnë ndihma pasi Turqia lëshoi një apel ndërkombëtar për ndihmë.
Turqia goditet nga tërmeti më i fortë në 100 vitet e fundit, 500 viktima dhe qindra të lënduar
*Tibo News