Elon Musk s’ia del ta shtyjë gjyqin me Twitter

Kërkesa e Elon Musk për të shtuar një ankesë të ngritur nga një ish-punonjës në kundërpadinë e tij ndaj Twitter u pranua nga një gjykatës i Delaware këtë javë.

Por peticioni i drejtuesit të Teslës për të shtyrë gjyqin mbi heqjen dorë nga blerja e Twitter-it u refuzua.

Twitter e paditi njeriun më të pasur në botë për mos-respektimin e marrëveshjes së nënshkruar në prill për blerjen e kompanisë fiksuar në shifrat e 44 miliardë dollarëve.

Ekipi ligjor i Muskut argumentoi në gjykatë këtë javë se gjyqi i planifikuar për të filluar më 17 tetor duhet të shtyhet deri në mes të nëntorit.

Por gjyqtarja Kathaleen McCormick tha me bindje “se vonesat do të rrezikonin dëmtimin e mëtejshëm të imazhit të Twitter.”

Avokatët e miliarderit argumentuan se ai kishte nevojë për kohë shtesë në mënyrë që të hetonte pretendimet se Twitter kishte paraqitur raporte jo-reale për sigurinë e të dhënave.

Muajin e shkuar, ish-shefi i sigurisë kibernetike të Twitter, Peiter Zatko, bëri publik pretendimin se kompania mashtronte rregullatorët federalë në lidhje me mbrojtjen e saj kundër hakerëve dhe llogarive të rreme.

Kjo i dha Musk-ut argumente shtesë për të forcuar atë që ekspertët ligjorë thanë se ishte një përpjekje e gjatë për t’u larguar nga marrëveshja për të blerë Twitter-in pa paguar asnjë dëmshpërblim, që aktualisht pretendohet prej rreth 1 miliard dollarësh.

Çështja Musk kundër Twitter ka zanafillë pretendimet se kompania kishte paraqitur të dhëna të rreme në lidhje me idenë se kishte nën kontroll llogaritë e rreme në platformë.

Por në seancën dëgjimore të kësaj jave, avokati i Twitter lexoi një mesazh nga Musk ku miliarderi shprehej se nuk ishte i shqetësuar për llogaritë e rreme.

Mirëpo Musk rezulton t’i ketë dërguar një mesazh një bankieri të Morgan Stanley në muajin maj, teksa thoshte se “nuk do të ketë kuptim të blejmë Twitter nëse po shkojmë në Luftën e Tretë Botërore” duke nënkuptuar këtu situatën e luftës Rusi-Ukrainë.

Kontrata i lejon Musk-ut të largohet nga marrëveshja në kushte të caktuara, por lufta nuk parashikohet në të.