
Ekspertët amerikanë paralajmërojnë valë të re Covid-i, por pse s’duhet panik?
Ekspertët e shëndetësisë në SHBA po paralajmërojnë se një variant i ri shumë ngjitës i Omicron i quajtur BA.2 së shpejti mund të çojë në një rritje tjetër të rasteve me koronavirus.
Kryevirologu dhe këshilltari mjekësor në Shtëpinë e Bardhë Anthony Fauci deklaron se varianti BA.2 është rreth 50 % deri në 60% më i transmetueshëm se Omicron, por nuk duket se shkakton pasoja më të rënda të Covid.
Zyrtarët shëndetësorë vazhdojnë të theksojnë se vaksinat dhe trajtimet anti- koronavirusit mbeten mënyrat më të mira për të parandaluar sëmundje të rënda për shkak të virusit.
“Varianti i ri i virusit ka rritur aftësinë e transmetimit. Megjithatë, kur shikoni rastet, ato nuk duken të jenë më të rënda dhe duket se nuk i shmangen përgjigjeve imune as nga vaksinat, as nga infeksionet e mëparshme”, deklaron Fauci.
Varianti tashmë ka shkaktuar rritje të rasteve në Kinë dhe pjesë të Evropës. Vlerësohet se përbën rreth 25% ose 30% të rasteve të reja në SHBA, por mund të bëhet varianti më dominues i vendit.
Fauci thekson se pret “një rritje të rasteve” për shkak të BA.2, por jo domosdoshmërisht një rritje masive siç kanë shkaktuar variantet e tjera. Kjo pavarësisht se Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve lehtësuan së fundmi rekomandimet për mbajtjen e maskave për shumicën e amerikanëve.
“Ne duhet të jemi të përgatitur, Covid nuk është larguar. Fokusi ynë duhet të jetë përgatitja, jo paniku”.