Efektet e ajrit të ndotur te njeriu

Ndotja e ajrit shkakton çdo vit rreth 7 milionë vdekje të parakohshme në botë. Prej tyre rreth 600 mijë janë fëmijë që nuk e kanë arritur ende moshën 15 vjeçare.

Por nëse analizojmë, qarkullojnë disa lloje ndotjesh. Më të dëmshmit janë grimcat mikroskopike që qarkullojnë me ajrin. Këto lëshohen nga aktiviteti bujqësor, industrial, djegia e druve dhe sidomos transporti rrugor. Grimcat më të rrezikshme lëshohen nga hidrokarburet si nafta.

Të vogla dhe shpesh tejet toksike, grimcat e hidrokarbureve të djegura futen thellë në sistemin respirator dhe më tej në gjak. Ozoni është gjithashtu ndotës. Në stratosferë është një lëndë natyrale, por nëse zbret në nivelin tokësor është i rrezikshëm për shëndetin.

Ozoni krijohet si reaksion mes oksidit të nitrogjenit dhe mbetjeve të përbërësve organikë të ekspozuar në rrezet e diellit. Këto mbetje vijnë kryesisht nga tymrat e shkarkuar pas djegies së hidrokarbureve. Ozoni mundet të dëmtojë bimësinë dhe shkakton stres te njerëzit me astmë dhe probleme frymëmarrjeje.

Nga ana tjetër, oksidi i nitrogjenit formohet lehtësisht gjatë procesit të djegies së karburantit në makina apo termocentrale. Ky lloj gazi reagon shpejt me lagështinë dhe formon në ajër një avull apo acid nitrik që mund të përkeqësojë rëndë bronket e njerëzve.

Ndotës të tjerë si dyoksidi sulfurik, benzeni, apo mbetje metalesh si plumbi mundet të rëndojnë gjithashtu mushkëritë, shikimin, aparatin tretës dhe sistemin nervor të njerëzve.

*Përkthyer dhe përshtatur nga AFP.