
Ecja e shpejtë ju ndihmon në shtimin e 16 viteve jetë
Bazuar në studimin e bërë në “Communications Biology”, ecja e shpejtë mund t’ju shtojë deri në 16 vite jetë.
Megjithëse plakja shpesh lidhet me gjenetikën, për jetëgjatësinë është më mirë të ecësh për një orë me një ritëm të shpejtë sesa një orë e gjysmë ngadalë.
Përfundimi është arritur nga një ekip studiuesish nga Qendra Kërkimore e Diabetit të Universitetit të Leicesterit (Angli), të cilët lidhën ritmin e ecjes së një subjekti me gjatësinë e telomereve të tij, pjesë të vogla të ADN-së që mbrojnë jetën e qelizave dhe që janë tregues të plakjes.
Shkenca ka treguar se sa më të gjatë të jenë, aq më i ri është njeriu për nga mosha biologjike, ndryshe nga mosha kronologjike.
Për mbledhjen e të dhënave, ekipi i studiuesve pyeti 405 000 pjesëmarrës britanikë të moshës së mesme për ritmin e ecjes së tyre.
Gjysma e grupit tha se ecja ishte mesatare, rreth 40% e shpejtë dhe 6% e ngadaltë.
Më pas, shkencëtarët vunë re se ata që pretendonin se ecnin me një ritëm mesatar ose të shpejtë kishin telomerë më të gjatë.
Studiuesit testuan gjithashtu këto të dhëna në një kampion prej afro 86 000 njerëzish që mbanin një akselerometër që mat ritmin aktual të ecjes së tyre.
Rezultatet e dy eksperimenteve ishin të ngjashme, telomeret ishin më të gjata te njerëzit që ecnin me një ritëm mesatar ose të shpejtë.
Vitet e fundit, disa studime kanë shpjeguar se ecja e shpejtë është thelbësore për shëndetin mendor dhe fizik.
Për shembull, një raport i Harvardit “Walking for Health” theksoi se si një mënyrë jetese sedentare rrit rrezikun e vuajtjes nga diabeti ose sëmundjet kardiovaskulare, si dhe dhimbjet e shpinës apo edhe depresioni.
Duke arritur në përfundimin se ecja me shpejtësi për 30 minuta në ditë pesë ditë në javë mund t’i parandalojë ato, duke rritur jetëgjatësinë me tre vjet e gjysmë.