€300 milionë për të luajtur në Arabi, oferta më e fundit për Ronaldon

Gazeta spanjolle AS raporton se portugezi 37-vjeçar, Cristiano Ronaldo, ka marrë një ofertë të majme nga Arabia Saudite.

Futbollistit të Manchester United, i cili është përfolur se do të largohet nga Anglia, i është ofruar një kontratë dy-vjeçare për të luajtur për një klub saudit.

Media spanjolle raporton duke konfirmuar lajmin e përmendur më parë nga CNN-i portugez TVI se oferta e majme parashikon 30 milionë euro pagesë vetëm si komision për transferimin, 20 milionë për agjentin e tij Jorge Mendes dhe pjesa tjetër prej 250 milionësh do të jetë pagesa e tij si futbollist.

Nëse gjithçka konfirmohet edhe nga Mendes, atëherë Ronaldo do të rikthehet të jetë sportisti më i paguar në botë.

Megjithatë duke marrë shkas nga deklaratat e mëparshme të portugezit, dëshira e tij është që të vijojë të luajë në një kampionat të niveleve të larta në Europë.