E marta do jetë dita më e ftohtë. Kur do përmirësohet moti

Kulmi i të ftohtit do të jetë të martën e 25 Janarit. Meteorologia Lajda Porja për mediat ka treguar se në qytetet kryesore në lindje temperaturat kanë shkuar nga -10 deri në -13 gradë Celsius. Ndërsa në fshatra temperaturat janë regjistruar edhe më të ulëta.

Ndërkohë të martën pritet që temperaturat të zbresin -15 deri në -16 gradë Celsius në zonat malore.

Edhe zonat e ulëta do të ketë temperatura tepër të ftohta ku në Qarkun e Elbasanit dhe të Beratit do të zbresin në -8 gradë Celsius.

“Parashikohet që kjo situatë të mbetet prezente të paktën deri ditën e mërkurë. Dita e nesërme do të ketë edhe kulmin e vlerave më ekstreme që do të regjistrojë kjo valë e ftohtë. Nesër pritet që termometri të zbresë -15,-16 gradë Celsius në zonat malore. Kryesisht problematike shtrirja në verilindje që nga Kukësi, Hasi, Bulqiza, Martaneshi, Librazhdi, por edhe qarku i Korçës të regjistrojë vlerat më të ulëta, madje temperatura të ulëta dhe të pazakonta edhe në zonat bregdetare. Pritet të jemi në vlerën -3 gradë Vlora, -2 gradë Saranda. Afërsisht -5 gradë priten vlerat në kryeqytet. Temperaturat më të ulëta në zonat e ulëta priten në Qarkun e Elbasanit dhe Beratit ku termometri do të zbresë -8 gradë. Do jetë edhe dita më e ftohtë, pasi e mërkura do të ketë një tërheqje të kësaj vale”, ka thënë sinoptikania Porja.

Ndërkaq, nga e mërkura do të fillojë dhe rritja graduale e temperaturave.