e-Albania do jetë jashtë funksionit në fundjavë

“e-Albania” do jetë jashtë funksionit për çdo shërbim gjatë fundjavës. Ky është njoftimi i publikuar nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit ku bën me dije se do ketë ndërprerje të përkohshme të shërbimeve nëpërmjet Platformës Qeveritare të Ndërveprimit, konkretisht nga dita e Premte ora 20:00 deri të dielën ora 10:00.

Ndërprerja e shërbimeve do të ndodhë për shkak të proceseve operacionale, të cilat kanë si qëllim optimizimin e pandërprerë dhe të cilësisë, si dhe sigurisë në ofrimin e shërbimeve publike dhe infrastrukturave mbështetëse.

AKSH sqaron se nga bllokimi do preken shërbimet elektronike në portalin “e-Albania”, funksionaliteti i regjistrimit të një llogarie në portal, shkëmbimi i të dhënave midis sistemeve elektronike nëpërmjet Platformës Qeveritare të Ndërveprimit, si dhe identifikimi nëpërmjet single-sign-on në sistemet apo platformat elektronike.

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit bën me dije se mbetet në fokus përmirësimi i vazhdueshëm i shërbimeve digjitale dhe rritja e cilësisë së ofrimit të tyre, për qytetarët dhe bizneset, duke shtuar në vazhdimësi edhe elementët e sigurisë.