
Dyfishohet numri i kërkesave për azil në BE
Numri i kërkesave për azil nga shqiptarët në vendet e Bashkimit Europian ka vijuar të mbetet i lartë edhe në maj 2022, ndonëse me rënie në raport me muajt e fundit të 2021-t, ndërsa si pesë mujor është shumë më i lartë se e njëjta periudhë e 2021-it, kur lëvizjet ishin ende të kufizuara për shkak të pandemisë. Sipas të dhënave të Eurostat, në maj të këtij viti kishte gjithsej 920 kërkesa për azil, pa përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, të dhënat e të cilës nuk raportohen më që nga nëntori i vitit 2020. Për periudhën janar-maj u shënuan gjithsej 3,850 aplikime dhe riaplikime, me një rritje prej 108% në krahasim me 5 muajt e parë të vitit të kaluar, kur lëvizjet ishin ende të kufizuara për shkak të pandemisë.
Pas heqjes së kufizimeve për udhëtime, në gjysmën e dytë të vitit të kaluar u shënuar një rritje e fortë e aplikimeve dhe raiaplikimeve, që kulmoi në nëntor, duke i tejkaluar dhe nivelet e para-pandemisë. Franca vijon të mbetet shteti më i preferuar për azilantët shqiptarë, për shkak të lehtësive social që ai ofron. Gati dy mijë persona, apo 50% e totalit iu drejtuan Francës për herë të parë, apo riaplikuan në pesë muajt e parë të këtij viti. E dyta është Gjermania, me 22% të totalit të aplikimeve, Italia 9.2%, Greqia 10.2% dhe Belgjika 4%.