Dy kryetarët në burg, ç’po ndodh me Himarën dhe tensionet e mbledhjes së sotme në Bashki

Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Himarës për të zgjedhur një nga 2 nënkryetarët si kryetar të komanduar të Bashkisë pati jo pak tensione. Kjo pasi mbështetës të Jorgo Goros u mblodhën para Bashkisë duke kërkuar largimin e Vangjel Tavos nga mbledhja. Vangjel Tavo është Prefekt i Qarkut të Vlorës, i emëruar javët e fundit nga qeveria në këtë detyrë.

Mbledhja është shtyrë për më vonë teksa fatmirësisht nuk pati përplasje fizike.

Kujtojmë se dy kryetarët e Himarës, Jorgo Goro dhe Fredi Beleri janë në burg.

Fredi Beleri, i cili u fitoi zgjedhjet e vitit të kaluar, u arrestua për blerje votash dhe është dënuar nga Gjykata e Posaçme, por çështja ka kaluar në Apel.

Kryetari në detyrë që ishte, Jorgo Goro, u arrestua pak ditë më parë nga SPAK për shpërdorim detyre në lidhje me tjetërsimin e një sipërfaqe toke në Dhërmi. Pas arrestimit, ai dha dorëheqjen nga qelia.

Sipas ligjit detyrën e kryetarit e merr përkohësisht nënkryetari i Bashkisë.

Por Himara rezulton me dy të tillë të emëruar më parë nga Jorgo Goro, e në këtë situatë, Këshilli Bashkiak i Himarës duhet të votojë se cili prej dy nënkryetarëve do komandohet në detyrën e kryetarit të bashkisë.

Dy nënkryetarët janë Blerina Bala dhe Pervin Gjikuria.

Njëri prej tyre që do zgjidhet, do drejtojë bashkinë deri kur gjykata të shprehet me një vendim të formës së prerë për Fredi Belerin. Dhe nëse vendimi konfirmohet në Apel, Himara do duhet të mbajë zgjedhje të parakohshme për të zgjedhur kryetarin e ri.