
Dukesha Meghan fiton gjyqin ndaj tabloidëve britanikë
Gjykata britanike i ka dhënë të drejtë Dukeshës së Susex-it, Meghan Markle, në çështjen kundër tabloidëve që dy vite më parë i botuan pa të drejtë një letër personale drejtuar të atit.
Dukesha e kishte fituar gjyqin në shkallë të parë dhe apeli e la në fuqi. Ajo e konsideroi vendimin “një fitore të madhe për të gjithë ata që janë ndjerë të nëpërkëmbur nga mediat”.
Çështja ka të bëjë me një letër që Meghan ia pati dërguar babait, Thomas Markle, në gusht të vitit 2018. Disa muaj më vonë, në shkurt 2019, tabloidët Daily Mail, Metro dhe MailOnline botuan një pjesë të saj në të paktën 5 artikuj të ndryshëm.
Kjo solli mjaft reagime nga familja mbretërore. Princi Harry paralajmëroi padinë pak javë më pas dhe çështja u bë serioze kur në tetor 2019 palët iu drejtuan gjykatave.
Në gjyq, “Associated Newspapers”, grupi që drejton disa prej tabloidëve, pretendoi se qe botuar vetëm një pjesë e letrës. Ata madje saktësuan se ishin “vetëm 585 fjalë nga 1,250 të tilla”.
Mirëpo gjykata vendosi se tema dhe çështja e përmendur në letër nuk ishte me interes publik dhe për rrjedhojë nuk duhej të botohej pasi kalonte në “cenim të privatësisë”.
Meghan nxiti mjaft debate në opinionin publik kur nga një aktore në SHBA, u kthye në bashkëshorte e Princit Harry në vitin 2018. Ajo mori titullin Dukeshë e Sussex-it, ndërsa në vitin 2020 bashkë me Princin Harry deklaruan tërheqjen nga oborri mbretëror.