Dosjet e ish-Sigurimit, pjesë e kurrikulës në shkolla

Autoriteti i Dosjeve në bashkëpunim me ministrinë e Arsimit ka vendosur që dokumentat e diktaturës komuniste të jenë pjesë e kurrikulës në shkolla.

Kryetarja e Autoritetit për Informim mbi Dosjet e Sigurimit të Shtetit, Genta Sula ka sqaruar arsyet dhe detajet lidhur me këtë nismë ku thotë: “Kur vjen fjala për histori pra është rishqyrtimi i historisë dhe edukimi i historisë. Brezat mbi 50 vjeç e kanë pasur më të lehtë, kanë qenë pjesë e debatit gjithë kohës. Poshtë kësaj moshe që përfshihen edhe mësuesit e shkollave, prindërit dhe fëmijët kanë një moslidhje me realitetin sepse nuk kanë qenë pjesë e saj. Ne themi ‘histori me fytyrë njeriu’ dhe këtu dokumentet e Sigurimit të Shtetit e kanë këtë forcë sepse futen në fatet personale. Të krijojnë mundësinë që të njohësh ngjarje që kanë ndodhur në qytetin tënd, në lagjen tënde, në rrethin tënd familjar.”

Sipas kryetares së Autoritetit për Informim mbi Dosjet e Sigurimit të Shtetit, ngjarjet e komunizmit janë ende të gjalla tek familje që kanë vuajtur pasojat.

Autoriteti për Informim mbi Dosjet e Sigurimit të Shtetit ka propozuar që personat që kanë qenë pjesë të bëjnë vetëdeklarim.

Mijëra familje ende nuk kanë përfituar dëmshpërblim, pasi u tejkaluan afatet por kryetarja e Autoritetit për Informim mbi Dosjet e Sigurimit të Shtetit kërkon një shtyrje të afateve për dorëzimin e dokumentave.