
Dorëzohet në Kuvend mocioni për ‘mosbesimin e qeverisë’ së Abazoviç
Pesë parti të opozitës dhe pushtetit në Mal të Zi, të udhëhequra nga Milo Gjukanoviç, kanë dorëzuar në Kuvend një mocion mosbesimi ndaj qeverisë së Dritan Abazoviçit, pas nënshkrimit të Marrëveshjes Themelore me Kishën Ortodokse Serbe.
Krahas DPS-së, propozimit i janë bashkuar edhe Partia Socialdemokrate (SDP), Partia Liberale (LP), Partia Socialdemokrate (SD) dhe Bashkimi Demokratik i Shqiptarëve (DUA) me gjithsej 36 deputetë.
Kuvendi i Malit të Zi ka 80 deputetë, për mosbesimin e qeverisë së Abazoviçit nevojiten 41 vota, ndaj tij grupi partish do t’i duhet përkrahja e të paktën pesë deputetëve të tjerë për të pranuar iniciativën e tyre.
Si arsye për paraqitjen e mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë, në një deklaratë të përbashkët ata cituan “mungesën e rezultateve të qeverisë në drejtim të zbatimit të atyre prioriteteve të përcaktuara gjatë zgjedhjes së saj, që kanë të bëjnë me reformën në drejtësi, forcimi i sistemit të shtetit ligjor, intensifikimi i procesit të integrimit evropian, konsolidimi i politikës ekonomike në vend dhe riorganizimi i sistemit të kujdesit shëndetësor në kushtet e pandemisë së koronavirusit në vazhdim”.
Shkak, thonë ata, është sjellja e kryeministrit Abazoviç, i cili përkundër qëndrimeve të institucioneve më të rëndësishme në vend, si dhe ekspertëve të shquar dhe organizatave të shoqërisë civile, vendosi në plan të parë marrëdhëniet me Kishën Ortodokse Serbe.
Palët besojnë se veprimet e Abazoviçit në këtë mënyrë çuan në ngritje të tensioneve në shoqëri dhe siç thonë ata, në “humbje të pariparueshme të kohës së nevojshme për përmbushje cilësore të detyrimeve nga agjenda evropiane”.
Me këtë, theksojnë ata, qeveria e Abazoviçit e humbi legjitimitetin e saj, ndaj është e nevojshme paraqitja e iniciativës për votim mosbesimi ndaj pushtetit ekzekutiv.
*TiboNews