
Dorëhiqet drejtori i RTSH-së, posti i ri që do ketë në qeveri
Enkelejd Joti ka dhënë dorëheqjen si drejtor i Përgjithshëm i RTSH-së, Radio televizionit Shqiptar,
Në letrën e publikuar nga mediat, Joti, drejtor i RTSH-së prej vitit 2021, shprehet se dorëheqja e tij është e parevokueshme.
Nuk dihen ende arsyet e largimit të tij dhe kush do e zëvendësojë, por burime për Tibo News, tregojnë se ai është emëruar zv.ministër i Mbrojtjes dhe në fokus do të ketë çështjet e Emergjencave Civile.
Në mbledhjen e sotme të qeverisë, Enkelejd Joti ka marrë postin e ri.
Në shkresën e dorëheqjes thuhet:
“Në zbatin nenit të 106 të ligjit nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar, Statutit të RTSH-së nr.98/2016, ju paraqes dorëheqjen time të parevokueshme nga posti i Drejtorit të Përgjithshëm të Radio Televizionit Shqiptar (RTSH)”.
Por kush është Enkelejd Joti?
Gjatë vitit 2021, konkretisht më 15 nëntor ai u emërua me 9 vota pro si drejtor nga Këshilli i Drejtues i RTSH-së. Ai ka mbajtur edhe detyrën e nëndrejtorit të Përgjithshëm të TVSH.
Më herët ai ka mbajtur postin e drejtorit të përgjithshëm të Top Media-s, për 12 vite, prej 2003-shit deri në 2015-ën.
Enkelejd Joti ka studiuar në ekonomi-financë. Nga viti 2017, ka qenë drejtor i i Qendrës Spitalore Nënë Tereza.
*Tibo News