
“Do i mbijetojmë Rusisë dhe dimrit të ashpër”
Bashkimi Evropian do t’i mbijetojë shantazhit të Rusisë për furnizimet me energji dhe “dimrit të ashpër” që po vjen, por vetëm nëse blloku ruan unitetin, vendosmërinë dhe guximin e tij. Deklarata u bë nga kryeministrja finlandeze Sanna Marin.
“Rusia mund të na sfidojë, të na shantazhojë dhe të na kërcënojë, por ne nuk do të dorëzohemi”, tha ajo në Parlamentin Evropian në Strasburg, duke folur në finlandisht.
Veprimet e Rusisë e kanë bashkuar Perëndimin si kurrë më parë, ndërsa Rusia është më e vetmuar se kurrë.
Gjatë fjalimit të saj para seancës plenare, Marin foli për një pamje të zymtë të sfidave me të cilat përballet BE, duke përfshirë luftën në Ukrainë, përkeqësimin e krizës energjetike, inflacionin në rritje, një recesion gjithnjë e më të mundshëm, financat e tendosura publike, fatkeqësitë natyrore, minimin e demokracisë dhe avancimin teknologjik të vendeve autoritare.
“Megjithatë, edhe në momentet më të errëta ka shpresë,” vuri në dukje ajo.
*Tibo News