Djokoviç: Sakrifikoj trofetë e tenisit dhe s’e bëj vaksinën anti-Covid

“Më mirë të humbisja trofetë e ardhshme të tenisit sesa të detyrohem të bëj vaksinën anti-Covid”. Kjo është deklarata që ka bërë tenisti i njohur serb Novak Djokoviç.

Në një intervistë për BBC, ai tha se gjithsesi nuk bashkohet me lëvizjen anti-Vaxx ( anti-vaksinës) por thjesht mbështet të drejtën e një individi për të zgjedhur nëse do që ta bëjë vaksinën apo jo. Djokoviç u pyet nëse do të sakrifikonte pjesëmarrjen në gara të tilla si Wimbledon dhe French Open për shkak të qëndrimit të tij ndaj vaksinës.

“Po, ky është çmimi që unë jam i gatshëm të paguaj,” tha ai.

20 herë fituesi i Grand Slam-it, tenisti serb u deportua nga Australia muajin e kaluar pasi qeveria ia anuloi vizën për shkak të statusit të tij për vaksinën.

Djokovic, i cili është tenisti numër një në botë për meshkujt, tha fillimisht se kishte marrë një dokument mjekësor për të hyrë në vend që të luajë në Australian Open pasi ishte shëruar së fundmi nga Covid-19.

Megjithatë, ministri i emigracionit në Australi i anuloi personalisht vizën 34 vjeçarit, me arsyetimin e prania e  tij mund të nxiste trazira civile dhe protesta anti-vaksinës.

“Unë nuk kam qenë kurrë kundër vaksinimit,”  tha ai duke konfirmuar se ai kishte bërë vaksina në moshën e fëmijërisë:  “Por unë gjithmonë kam mbështetur lirinë për të zgjedhur atë që vendosni në trupin tuaj.”

Tenisti shpreson që kërkesat për vaksinim në turne të caktuara të ndryshojnë, duke shtuar se do donte të luante edhe për shumë vite të tjera.

Ai konfirmoi gjithashtu se ishte i gatshëm të hiqte dorë nga shansi për t’u bërë statistikisht tenisti më i madh i të gjitha kohërave nëse do diskutohej për vaksinë:

I pyetur se pse, ai u përgjigj: “Sepse parimet e vendimmarrjes për trupin tim janë më të rëndësishme se çdo titull apo çdo gjë tjetër. Unë po përpiqem të jem në harmoni me trupin tim sa më shumë që të mundem.