Disney më i ndjekur se Netflix me mbi 221 milionë abonentë

Platforma Walt Disney njoftoi së fundmi se ka tejkaluar Netflix-in për sa i përket abonentëve.

Kompania me bazë në Kaliforni ka tashmë 221 milionë abonentë, por paralelisht konglomerati mediatik njoftoi se do të rrisë koston e pagesave mujore për platformën e saj Disney+ që nuk aplikon reklama.

Kështu abonimi mujor në Disney, pritet të rritet në muajin dhjetor me 38% duke shkuar në 10.99 dollarë. Ndërkohë paketa që lejon reklamat do të jetë 7.99 dollarë.

Ngjashëm rritje të kostove të llogarive nga muaji dhjetor 2022 pritet të ketë edhe në platformën Hulu, ku parashikohet të ketë rritje me një deri në dy dollarë.

Në vitin 2017 kompania Disney u fut në tregun e transmetimeve IPTV/OTT për të rivalizuar platformën Netflix. Vitet që pasuan pa një kalim në masë të audiencës nga transmetimet tradicionale me kabuj drejt televizionit online.

Pesë vite më pas Disney duket se po vjel frytet e investimit që ka bërë. Kombinuar me Hulun dhe ESPN+ platforma Disney tha se ka më shumë se 221 milionë abonentë. Ky raportim është më i madh se Netflix, që në muajin korrik tha se kishte diçka më pak se 221 milionë ndjekës.

Rritjet e audiencës kanë shtuar të ardhurat te Disney, që raporton rritje me 26% të të ardhurave krahasuar me vitin e shkuar.

Ekspertët e përllogarisin diku te 21.5 miliardë dollarë xhiron e përgjithshme të konglomeratit mediatik.

 

*Tibo News