
Disa nga risitë që solli reforma e drejtësisë në Gjykatën Kushtetuese
Më 22 Korrik 2016, 140 deputetë të Kuvendit të Shqipërisë votuan me unanimitet për ndryshimet kushtetuese.
Këto amendime preknin pjesë të caktuara të Kushtetutës që lidheshin me organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese.
Si pjesë integrale e paketës së ndryshimeve kushtetuese, Kuvendi miratoi Ligjin Nr. 99 2016 “Për Disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin Nr. 8577 datë 10.02 2000 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”.
Gjykata Kushtetuese në strukturën e saj përbëhet nga 9 (nëntë) anëtar, 3(tre) prej të cilëve emërohen nga Presidenti i Republikës, 3 (tre) anëtar zgjidhen nga Kuvendi i Shqipërisë dhe 3 9tre) anëtar zgjidhen nga Gjykata e Lartë.
Përpara ndryshimeve të vitit 2016, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, emëroheshin nga Presidenti i Republikës me pëlqimin e Kuvendit.
Ankimi Kushtetues Individual
Subjektet e të drejtës private dhe publike mund të kundërshtojnë në Gjykatën Kushtetuese çdo akt që cenon të drejtat dhe liritë e parashikuara në Kushtetutë, sipas kritereve të përcaktuara në ligj. Kërkesa paraqitet brenda afatit 4-mujor nga konstatimi i cenimit.
Përpara ndryshimeve të vitit 2016, ankimi individual lejohej vetëm për shkelje të procesit të rregullt ligjor.
Gjykata Kushtetuese mund të vihet në lëvizje, nga Presidenti i Republikës dhe jo më pak se 1/5 e deputetëve, për të shqyrtuar vetëm nëse është respektuar procedura e parashikuar në Kushtetutë (Neni 177) për miratimin e një ligji për rishikimin e Kushtetutës.
Vendimet e Gjykatës Kushtetuese kanë fuqi detyruese të përgjithshme dhe është përfundimtar dhe në çdo rast, shprehet edhe për efektet e vendimit.