
Disa fakte për zgjedhjet, sa votojnë për herë të parë dhe ndarja e kandidatëve si gjini
5213 qendra votimi janë hapur në 61 bashki të vendit, ku disa prej tyre janë qendra të specializuara, si qendrat në burgje. Dy fletë janë në dispozicion të qytetarëve, një fletë me ngjyrë të verdhë për kryetarin e bashkisë, ndërsa fleta me ngjyrë gri për të zgjedhur anëtarët e Këshillit Bashkiak. 44 parti politike janë regjistruar për këto zgjedhje, 38 prej tyre janë koalicione, përfshirë partinë më të madhe në Shqipëri që është Partia Socialiste, e cila garon e vetme. Ky proces ka kushtuar miliona euro, duke përfshirë edhe votimin elektronik por që në nisje të votimit u konstatuan probleme. Sipas KQZ nuk do kishte vend për manipulime në këto zgjedhje dhe se rezultati do të dilte brenda pak minutash pas mbylljes së qendrave të votimit.
Dhe pikërisht në vendet ku u aplikua ky proces teknologjik janë hasur problematika.
Elbasani dhe Kamza e aplikojnë këtë proces për herë të parë, ndërsa Vora e ka eksperimentuar më parë.
Nga të dhënat e gjeneruara nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, në Ministrinë e Brendshme, të drejtën e votës e kanë 3,650,550 shtetas shqiptarë. Plot 122,545 zgjedhës votojnë për herë të parë pasi mbushin 18 vjeç deri më 14 Maj.
Ata do të votojnë edhe nëse mjeti i tyre i identifikimit ka skaduar. Mbi gjysma e votuesve janë burra duke e lënë të pandryshuar dominimin e kësaj gjinie në shoqërinë shqiptare. Votat e hedhura në kutitë e votimit do të numërohen në tavolinat e numërimit në 92 KZAZ.
Në total numri i kandidatëve për kryetar bashkie dhe anëtar të këshillave bashkiak është 23.907 ku 11 843 femra dhe 12064 meshkuj.
Në këto zgjedhje 1.111 shtetas nuk janë pa përfshirë në lista për shkak të dekriminalizimit ndërsa 38 kandidatë janë ende nën procesin e verifikimit të pastërtisë së figurës së tyre nga prokuroria, ku 10 janë kandidatë për kryetar Bashkie.
Tirana është bashkia me numrin më të madh të kandidatëve për kryetar Bashkie dhe Këshillin Bashkiak, plot 6 emra janë në fletën e votimit për kryetar dhe numrin më të lartë të anëtarëve të Këshillit Bashkiak plotë 61 këshilltarë. Zgjedhjet vëzhgohen edhe nga partnerët ndërkombëtarë. OSBE dhe KQZ kanë trajnuar rreth 7 mijë punonjës për zgjedhjet.