Dimër i nxehtë: Ç’po ndodh me motin në Europë dhe rekordet që u thyen

Temperaturat për muajin Janar kanë arritur një nivel të lartë historik, në shumë vende të Europës. Rekordet kombëtare janë shënuar në tetë vende, ndërsa ato rajonale në tre të tjera.

Në Varshavë të Polonisë, termometri shënoi 18.9 gradë të dielën ndërsa Bilbao në Spanjë shënoi 25.1 gradë Cesius, më shumë se 10 gradë mbi mesataren.

Sinoptikanët thonë se moti i butë evropian vjen pasi Amerika e Veriut përballet me stuhi më të forta, disa ditë pas një krize vdekjeprurëse të ftohtë dimri që la më shumë se 60 të vdekur.

Dëborë e madhe dhe shi i akullt janë parashikuar për pjesë të veriut të Midwest, ndërsa stuhi të forta dhe tornado priten në Teksas, Oklahoma, Arkansas dhe Luiziana.

Por në anën evropiane të Atlantikut, moti ka qenë i qetë për shumë vende në fillim të vitit.

Temperaturat në Holandë, Lihtenshtajn, Lituani, Letoni, Republikën Çeke, Poloni, Danimarkë dhe Bjellorusi thyen rekordet kombëtare.

Gjithashtu edhe në Gjermani, Francë dhe Ukrainë.

Temperatura e regjistruar në Varshavë më 1 janar ishte 4 gradë më lart se rekordi i mëparshëm për muajin, ndërsa rekordi i Bjellorusisë ishte 16.4 gradë, rreth 4.5 gradë mbi rekordin e mëparshëm.

Në Spanjë, temperaturat e Ditës së Vitit të Ri në Bilbao ishin ekuivalente me mesataren e korrikut, dhe pjesë të Katalonjës duke përfshirë Barcelonën janë subjekt i kufizimeve në përdorimin e ujit.

Rekordet thyhen gjatë gjithë kohës, por është e pazakontë që diferenca të jetë e lartë.

Në Zvicër, temperaturat kanë arritur në 20 gradë Celsius dhe moti i ngrohtë ka ndikuar në vendpushimet e skive në të gjithë Alpet, të cilat kanë pasur mungesë bore.

Megjithatë, jo e gjithë Europa është e ngrohtë,  nëse marrim parasysh pjesë të Skandinavisë dhe Moska që pret temperatura të ulëta në -20 gradë Celsius deri në fundjavë.

Vetëm disa ditë më parë, Britania e Madhe, Irlanda, Franca dhe Spanja e shpallën 2022-shin si vitin e tyre më të nxehtë në histori.

Valët e të nxehtit janë bërë më të shpeshta, më intensive dhe zgjasin më gjatë për shkak të ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njerëzit.

Megjithatë, evente dimri si këto nuk kanë të njëjtin ndikim njerëzor si valët e të nxehtit të verës, të cilat mund të rezultojnë në një numër të madh vdekjesh.

Bota tashmë është ngrohur me rreth 1.1 gradë që nga fillimi i epokës industriale dhe temperaturat do të vazhdojnë të rriten nëse qeveritë në mbarë botën nuk bëjnë shkurtime të mëdha të emetimeve.

*Tibo News