Dikur u shpëtoi 3 atentateve, kush është Gentian Bejtja që u vra me breshëri plumbash në shtëpi

Gentian Bejtja është vrarë me breshëri kallashnikovi në banesën e tij në fshatin Larushk të Fushë Krujës. Ngjarja e rëndë ndodhi pasditen e djeshme rreth orës 16:25 minuta.

Mësohet se 43 vjeçari ndodhej në oborrin e shtëpisë kur persona ende të paidentifikuar lëshuan plumba kallashnikovi në drejtim të tij duke e lënë të vdekur në vend.

Gentian Bejtja ka qenë  vetëm në shtëpi në momentin që u regjistrua ngjarja, ndërsa autorët kanë arritur të futen në brendësi të oborrit.

Viktima 43-vjeçar ka tentuar të dalë nga një derë e pasme, por nuk ka mundur t’u shpëtojë plumbave.

Dyshohet të kenë qenë të paktën 3 persona që asistuan ekzekutimin, të cilët janë larguar më pas në drejtim të fshatit Hasan, ku dogjën makinën tip Range Rover brenda të cilit u gjetën 4 kallashnikovë.

Por kush ishte Gentian Bejtja?

43-vjeçari ishte emër i njohur për policinë, pasi në të shkuarën i ka shpëtuar 3 atentateve. Në 2016-ën makina e tij u shpërthye me eksploziv. Në 2022-in i shpëtoi një atentati në afërsi të Niklës kur u qëllua me breshëri plumbash ndaj makinës së tij. Rasti më i fundit ishte në korrik 2023 po në oborrin e shtëpisë së tij në Larushk, ku Bejtja u shpëtoi breshërive të plumbave, por mbeti i vrarë kunati i tij, Ramazan Sino dhe u plagos djali 10 vjeç.

43-vjeçari ishte shpallur në kërkim policor për t’u marrë në pyetje për ngjarjen e fundit, por pavarësisht kontrolleve policore në 8 muaj hetuesit nuk mundën të siguronin dëshmi të tij. Bejtja është i dyshuar si i përfshirë për disa ngjarje të rënda kriminale, në zonën e Krujës por dhe me gjerë.

Policia dhe prokuroria e Tiranës po hetojnë ngjarjen, ndërsa janë ngritur dyshime të forta se ngjarja ka si motiv hakmarrjen.

Bejtja është hetuar edhe për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj, pasi u dyshua bashkë me Enver Stafukën, si një nga autorët e vjedhjes së makinës nga e cila u vra Lamaj, në shkurt 2013.

Bejtja u bë i njohur me 26 shkurt të vitit 2013, një ditë pas vrasjes së kryekomisar Dritan Lamajt, në rrugën “Petro Korçari”, fare pranë banesës së tij.

Gentian Bejtja përflitet se ka qenë i pranishëm edhe në momentet e rrëmbimit të Enver Stafukës, më 8 shkurt 2015. Stafuka u rrëmbye në zonën e Fushë Krujës dhe u zhduk pa gjurmë prej atij momenti. Në vendin e ngjarjes, ishte edhe Durim Bami dhe Ramazan Rraja.