
Dikur artistë, tani krijojnë fortifikime ushtarake
Një komunitet artistësh në Kiev e kanë transformuar hapësirën e tyre të artit në një fabrikë të vogël që prodhon jelekë antiplumb, barrikada antitank dhe fortifikime të tjera për ushtarët ukrainas.
Artistët, nga organizata jofitimprurëse “Kosmos Tabir” me bazë në Kiev, kanë rinovuar hapësirën nëntokësore që fillimisht kishin planifikuar ta përdornin atë për të pritur projekte të ndryshme artistike.
Por kur erdhi lufta, ata vendosën ta përdorin atë për të ndihmuar ushtrinë ukrainase në mbrojtjen e kryeqytetit.
Anton Felemenyuk, një nga artistët, tha se ata filluan duke bërë barrikada të vogla antitank, përpara se të ndërtonin barrikada të tjera më të mëdha.
Në dy javët e para të luftës, artistët prodhuan rreth 150 barrikada antitank.
Më pas ata kaluan në prodhimin e jelekëve antiplumb, duke filluar nga përgatitja e ‘pllakave’ dhe më vonë qepja e jelekëve.
Një web-designer dhe fotografe ukrainase, aktiviste në “Kosmos Tabir”, Svitlana Dolbysheva tha se artistët nuk po luftojnë për liri, por për ekzistencë.
“Kjo është arsyeja pse nuk e kam pasur kurrë idenë për të ikur dhe jam shumë e lumtur që kam ardhur këtu”, u shpreh Svitlana.