Dibra e historive frymëzuese, bukurive natyrore dhe specialiteteve të kulinarisë

Dibra është një nga krahinat më të pasura në Shqipëri me histori frymëzuese, bukuri natyrore dhe specialitete të kulinarisë.

Qyteti qendror i kësaj krahine është Peshkopia. Atje shkohet përmes “Rrugës së Arbrit” nga Tirana – për rreth 3 orë, 105km me makinë, – ose nga Kukësi, – për rreth 2 orë, 70km me makinë.

Të dyja rrugët automobilistike përshkojnë peizazhe fantastike mes malësisë së Martaneshit, Bulqizës, Lurës dhe fushat e Dibrës, ndërsa në anën tjetër parku natyror Korab-Koritnik.

Dibra është e njohur për betejat e lavdishme të Gjergj Kastriot Skënderbeut ku spikat ajo e shtatorit 1444 në fushën e Dibrës së Poshtme, në fshatrat Çidhën apo Kastriot ku diku më sipër mbi kanionet e Setës ndodhen dhe rrënojat e kalasë që heroi kombëtar ngriti asokohe.

Po kështu kjo krahinë është dalluar prej përballjeve me serbët dhe kryengritjeve për pavarësi apo për çlirimin e vendit gjatë pushtimit nazi-fashist. Shumë të njohura janë betejat e kësaj krahine, e cila i ka lartësuar ato edhe në këngë e valle.

Zona është jashtëzakonisht e pasur me burime ujore si Seta, Sina apo Sopanika, të cilat burojnë nga malësia e Lurës. Paralelisht ka dhe plot shpella, ku në një prej tyre buron pikërisht Sopanika e cila ka gjithashtu një ujëvarë fantastike.

Shtigjet për në këto vende natyrore janë relativisht të lehta, por kërkojnë veshje të përshtatshme për ecje dhe sidomos për aventurierët që kërkojnë të eksplorojnë shpellat, duhet pasur kujdes që një gjë e tillë të bëhet me pajimet e duhura, si kokore, drita dhe për më në thellësi apo maska oksigjeni.

Vendndodhjet gjenden rreth një orë larg me makinë nga qyteti i Peshkopisë, ndërsa më në perëndim, ndodhen edhe kanionet e Setës, të cilat ofrojnë një peizazh marramendës dhe mund të qasen lehtësisht me ecje në këmbë. Edhe këto kanione kanë disa ujëvara dhe shpella të cilat mund të eksplorohen.

Parku Kombëtar i Lurës është një nga zonat më përrallore të Dibrës, i dalluar për 7 liqenet e tij si dhe pyjet që pavarësisht prerjeve të dikurshme po rigjenerohen dhe po i rikthehen bindshëm turizmit.

Korabi (2,764 m), mali më i lartë në Shqipëri është ai që dallon mbi gjithçka në Peshkopi. Pikërisht ky mal është synimi kryesor për të pasionuarit pas ngjitjeve, të cilët e kanë në krye të listës së ngjitjeve.

Qyteti ka një shëtitore goxha të gjallë me njerëz, të cilët mbajnë ende traditën e shëtitjeve pasditeve.

Ndër zonat e veçanta për turizëm në Dibër po dallon Radomira, rreth 35 kilometra në verilindje të Peshkopisë.

Por, Dibra njihet gjithashtu për mikpritjen dhe kulinarinë ku spikat si specialitet jufka me pulë fshati, byreku i misrit, revania apo dhe bakllavaja.

*Tibo News.