Diaspora votë me postë? PS, draft për Reformën Zgjedhore

PS ka hartuar një draft me disa propozime konkrete lidhur me ndryshumet që duhen të realizohen në ligjin Zgjedhor. Drafti vjen në një kohë kur fati i Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore është ende i paqartë.

Në draft, PS kërkon që të ketë një administratë të depolitizuar, por me punonjës administrate. Pra kërkohet që qendra e votimit të jetë me tre anëtarë që emërohen nga KQZ, po ashtu edhe komisionerët dhe numëruesit, por përzgjedhja të jetë mes radhës së punonjësve që kanë statusin e nëpunësit civil, arsimtarë dhe përfaqësues të Dhomës së Avokatisë e Noterisë.

Lidhur me votën e emigrantëve, Rama si kreu i PS nuk ka dhënë shumë shpresë për votën e emigrantëve, megjithatë ekspertë të PS kanë propozuar që shqiptarët që jetojnë jashtë vendit të votojnë me postë. Si mund të funksionojë? Zarfi i votës propozohet të mbërrijë në KQZ, ndërsa ky institucion do duhet të miratojë aktet për votimin e shtetasve jashtë vendit, jo më vonë se 6 muaj nga fillimi i periudhës zgjedhore.

Pritet që propozime të tjera të paraqiten në mbledhjen e radhës së Komisionit të Zgjedhores.