“Diaspora do votojë”, qeveria në Kosovë përgatit ligjin për mërgimtarët

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka bërë të ditur se Qeveria do të miratojë një ligj të ri për zgjedhjet e përgjithshme që mundëson votën e diasporës. Kreu i Qeverisë së Kosovës tregoi edhe 3 opsionet që diaspora do ketë në dispozicion për të votuar në zgjedhjet parlamentare.

“…I pari, votimi fizikisht një ditë para zgjedhjeve në njërën prej ambasadave apo konsullatave të Republikës së Kosovës, opsioni i dytë do të jetë dërgimi i fletëvotimit me postë brenda vendit ku jetojnë në adresën që e cakton ambasada e Republikës së Kosovës. E me këtë ambasadat shndërrohen në qendra të grumbullimit të fletëvotimeve”, tha Kurti.

Opsioni i tretë mbetet mënyra e vjetër e votimit duke i dërguar fletëvotimet me postë në adresë të Komisionit Qendror Zgjedhor për vende ku Kosova nuk ka ende ambasadorë ose konsullatë.