Dhoma e Përfaqësueseve në kaos, republikanët dështojnë në zgjedhjen e kryetarit

Përpjekja e republikanëve për të zgjedhur kryetarin e Dhomës së përfaqësuesve po rezulton një sfidë.

Pavarësisht 6 përpjekjeve kandidati republikan, Kevin McCarthy dështoi të siguronte mbështetjet e nevojshme për tu zgjedhur kryetar.

20 republikanë votuan kundër McCarthy-t në votimin e 6-të dhe të fundit të mërkurën, përfshirë ligjvënësen e Kolorados, Lauren Boebert. Ajo tha se mbështetja e ish presidentit Donald Trump për Mccarthin nuk do t’i ndryshonte mendjen. Një burim i afërt me McCarthin, tha se bisedimet me kundërshtarët konservatorë po vazhdojnë në një përpjekje për të grumbulluar më shumë vota.

Aktualisht, republikanët e kontrollojnë Dhomën e Përfaqësuesve me një epërsi të ngushtë, prej vetëm 9 ligjvënësish ndaj demokratëve. Republikanët kanë 222 ligjvënës në këtë dhomë dhe McCarthy i duhen 218 vota për t’u zgjedhur kryetar, në rast se të gjithë përfaqësuesit e të dy krahëve marrin pjesë në votim dhe askush nuk abstenon.

Por një grup republikan, i quajtur “Grupi i Lirisë” , e ku bëjnë pjesë anëtarët më konservatorë të partisë, mendojnë se McCarthy nuk është aq konservator sa duhet për të udhëhequr republikanët në dhomën e ulët.