Dështon përpjekja e parë britanike për të lëshuar satelitë në hapësirë

Përpjekja e Britanisë së Madhe për t’u bërë shteti i parë në Evropë që lëshon vetë satelitë në hapësirë përfundoi me zhgënjim të madh të martën.

Virgin Orbit tha se një ‘anomali’ e ndaloi raketën e saj të arrinte orbitën.

Një turmë ishte mbledhur në qytetin bregdetar të Newquay në Anglinë jugperëndimore për të brohoritur për misionin historik.

Në të ashtuquajturën “nisje horizontale”, një Boeing 747 i modifikuar i quajtur “Cosmic Girl” mbante raketën e Virgin’s LauncherOne nën krahët e saj.

Sipas objektivave të misionit ajo duhej ta lëshonte raketën kur të fluturonte mbi Oqeanin Atlantik.

Virgin Orbit, pjesërisht në pronësi të miliarderit britanik Richard Branson, e transmetoi drejtpërdrejt misionin.

Por më pas Drejtori i Inxhinierisë dhe Verifikimit të Sistemeve të kompanisë, Christopher Relf, dha lajmin e keq se LauncherOne kishte pësuar një anomali, e cila do ta pengonte arritjen në orbitë.

Kompania më vonë tha se transportuesi “Cosmic Girl” dhe ekuipazhi i saj ishin kthyer në mënyrë të sigurtë në portin hapësinor të Newquay, por nuk dha detaje të mëtejshme mbi statusin e raketës dhe ngarkesën e saj prej 9 satelitësh.

Drejtori i Hapësirës Komerciale të Agjencisë Hapësinore të Mbretërisë së Bashkuar, Matt Archer tha se me fazën e parë misioni mund ta kishte çuar raketën në hapësirë.

Por motori i fazës së dytë kishte një “anomali teknike dhe nuk arriti orbitën e kërkuar”.

Archer tha se qeveria britanike, Virgin Orbit dhe palët e tjera të përfshira do të hetojnë dështimin e misionit, i cili ishte i pari i kompanisë jashtë bazës së saj në SHBA.

*Tibo News.