
Dështon në provat e avancuara vaksina e HIV
E vetmja vaksinë e HIV-it që iu afrua përfundimit të testimit, nuk ka rezultuar efektive në parandalimin e sëmundjes.
Vaksina ishte në zhvillim që nga viti 2019 dhe iu dha 3,900 pjesëmarrësve të studimit deri në tetor 2022, por të dhënat tregojnë se ajo nuk mbron nga HIV në krahasim me një placebo, sipas zhvilluesit Janssen Pharmaceutical.
Ekspertët vlerësojnë se dështimi do të thotë se nuk do të ketë një vaksinë tjetër të mundshme në horizont për 3 deri në 5 vjet.
“Është padyshim zhgënjyese”, ka deklaruar doktori amerikan Anthony Fauci, duke vënë në dukje se fusha të tjera të hulumtimit të trajtimit të HIV-it janë premtuese. “Unë nuk mendoj se njerëzit duhet të heqin dorë nga fusha e vaksinës HIV.”
Asnjë çështje sigurie nuk ishte identifikuar me vaksinën gjatë provës, e cila studioi trajtimin eksperimental tek burrat që kryejnë marrëdhënie seksuale me burra ose me persona transgjinorë.
Nuk ka shërim për HIV-in, por përparimi i sëmundjes mund të menaxhohet me trajtimet ekzistuese. HIV sulmon sistemin imunitar të trupit dhe shkatërron qelizat e bardha të gjakut, duke rritur rrezikun e infeksioneve të tjera. Më shumë se 1.5 milionë njerëz në mbarë botën u infektuan me HIV në vitin 2021 dhe 38.4 milionë njerëz jetojnë me virusin, sipas të dhënave nga UNAIDS.
*Tibo News