Dështojnë negociatat e para Rusi-Ukrainë, paralajmërohen negociata të dyta

Përfaqësuesit e Ukrainës dhe ata të Rusisë kanë përfunduar takimet e zhvilluara në Bjellorusi për të diskutuar paqen, pas sulmit rus në Ukrainë.

Të dyja palët do të kthehen në kryeqytetet e tyre përkatëse për konsultime para takimeve të dyta që do të mbahet në ditët në vijim, ka raportuar agjencia e lajmeve Reuters.

Pritjet për zgjidhje paqësore nuk kanë qenë të larta.

Kërkesa e Ukrainës ka qenë për armëpushim dhe tërheqje të ushtrisë ruse, derisa Kremlini ka thënë se nuk do ta bëjë publik qëndrimin e tij.

Mykhailo Podoliyak, këshilltari i presidentit ukrainas ka thënë pas takimit se negociatat janë të vështira, por pa ndonjë ultimatum detyrues.

“Fatkeqësisht, pala ruse është ende tejet e njëanshme sa i përket procesit shkatërrues që ka nisur”, u shpreh ai.

Pala ruse kanë përmendur arritjen e një marrëveshjeje që është në interesin e të dyja palëve.

Presidenti francez, Emmanuel Macron ka biseduar me homologun rus, Vladimir Putin, duke përsëritur thirrjet ndërkombëtare për Moskën që t’iu japë fund sulmeve ndaj Ukrainës, sipas një deklarate të publikuar nga Presidenca franceze.

Megjithatë, në një deklaratë të lëshuar nga Kremlini për të njëjtën bisedë telefonike, është përmendur se Putin i ka thënë Macronit se “zgjidhja është e mundshme vetëm nëse merren parasysh interesat legjitime të Rusisë për sigurinë – duke përfshirë njohjen dhe sovranitetin rus në Krime”

Përveç kësaj, Putin si zgjidhje për objektivat kërkon çmilitarizimin e popullit të Ukrainës.

Franca ka thënë në deklaratë se Macron i ka kërkuar po ashtu homologut rus që të vazhdojnë diskutimet në ditët në vijim për të parandaluar përshkallëzimin e luftës.

Sipas deklaratës, palët janë pajtuar në këtë pikë.

Sulmi i Moskës ndaj Ukrainës ka nisur në orët e para të 24 shkurtit. Presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës.