
Dështojnë negociatat Kiev-Moskë, zbardhen bisedat mes Lavrov e Kuleba
Takimi i sotëm i ministrave të Jashtëm të Rusisë dhe Ukrainës cilësohet nga mediat ndërkombëtare si raundi i parë zyrtar i bisedimeve për luftën mes dy vendeve. Por pa asnjë përparim për armëpushim, sipas zyrtarëve ukrainas.
Duke folur për mediat pas takimit në Turqi, ministri ukrainas Dmytro Kuleba tha se kërkesat e homologut të tij rus Sergei Lavrov ishin për dorëzim. Ndërkohë Lavrov tha se operacioni ushtarak i vendit të tij do të planifikohej për në vijim.
Bisedimet vijnë pasi Rusia bombardoi një spital për fëmijë, për të cilin Ukraina tha se është një krim lufte. Zyrtarët thonë se tre persona, përfshirë një fëmijë, vdiqën në sulmin në qytetin juglindor të Mariupol-it.
Rusia nisi një pushtim të plotë të Ukrainës dy javë më parë dhe më shumë se 2.3 milionë njerëz janë larguar nga vendi.
Situata më e keqe humanitare është në Mariupol, siç deklaroi Kuleba, ku banorët janë bllokuar për ditë të tëra në temperatura ekstremisht të ulëta pa energji elektrike dhe ujë.
Por Rusia nuk ishte angazhuar për krijimin e një korridori humanitar atje dhe gjithashtu nuk i ishte përgjigjur propozimeve për një armëpushim humanitar 24-orësh në të gjithë Ukrainën, tha Kuleba duke shtuar:
“Dua të përsëris se Ukraina nuk është dorëzuar, nuk dorëzohet dhe nuk do të dorëzohet”.
Nga ana e tij, ministri i jashtëm rus nuk ofroi lëshime dhe përsëriti kërkesat që Ukraina të çarmatoset dhe të pranojë statusin neutral. ‘Moska po pret një përgjigje nga Kievi’, tha ai.
Lavrov akuzoi gjithashtu Perëndimin për nxitjen e konfliktit duke furnizuar Ukrainën me armë.
Rusia do të përballej me sanksionet perëndimore dhe “do të dilte nga kriza me një psikologji dhe ndërgjegje më të mirë”, tha ai.
“Ju siguroj se do t’ia dalim dhe do të bëjmë gjithçka për të mos u mbështetur kurrë te Perëndimi, në asnjë fushë të jetës sonë,” tha ai.