
Dështoi marrëveshja për targat, BE kërkon vetëpërmbajtje
Simbolet shtetërore në targat e automjeteve të Kosovës dhe Serbisë do të vazhdojnë të mbulohen me letër ngjitëse kur kalojnë kufijtë e të dy vendeve. Nuk dihet kur do të arrihet marrëveshja mes palëve. Për dy ditë radhazi delegacionet e Prishtinës dhe Beogradit diskutuan në Bruksel nën ndërmjetësimin e BE-së për çështjen e targave të automjeteve, por nuk arritën dot marrëveshje. Palët ia hodhën fajin njëra tjetrës, ndërsa, ndërmjetësi i dialogut Miroslav Lajçak, pret nga të gjithë aktorët që “të përmbahen nga veprimet, të cilat mund të rrezikojnë sigurinë në terren”.