Derri me emrin Putin

Një park kafshësh në Bavari, i cili e kishte quajtur një derr të egër Putin për shkak të trashëgimisë gjenetike ruse, sot e ka ripagëzuar me një emër gjerman pas pushtimit rus të Ukrainës.

Eckard Mickish, operatori i parkut jashtë qytetit Mehlmeisel, tha se ai e quajti derrin sipas presidentit rus Vladimir Putin 3 vjet më parë pas mbërritjes së tij.

Me gati 200 kg, derri peshonte rreth tri herë më shumë se ata që gjenden zakonisht në Gjermani, tha ai.

Por kohët e fundit, sa herë që Mickish-it iu desh të bënte një thirrje për vizitorët, një drithërimë i pushtonte kur përmendte Putin-in duke pasur parasysh luftën në Ukrainë. Ai gjithashtu shqetësohej se si do të ndiheshin vizitorët ukrainas.

Ai shpejt arriti në përfundimin se asnjë derr nuk e meritonte këtë emër, kështu që parku shpalli në rrjetet sociale një kërkim për një emër të ri. Kishte rreth 2700 sugjerime dhe Eberhofer, emri i një polici nga një seri librash popullore bavareze, fitoi votën.