‘Deri në vitin 2030 synojmë 1 mijë bujtina në Shqipëri’

Nga Klosi, krah Ministres së Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro dhe Ministres së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, zëvendëskryeministrja Belinda Balluku tha se agroturizmi është në fokus të qeverisë dhe një strategjie të re, që synon nxitjen e zhvillimit të Bujqësisë dhe Turizmit, përkrah njëra-tjetrës.

Balluku tha:

Nga 240 bujtina, pika agroturizmi, mikpritje që ka sot në Shqipëri ne synojmë që në vitin 2030 të kemi 1000 njësi të tilla. Dhe për të pasur 1000 njësi të tilla ne na është dashur gjithashtu që të kërkojmë edhe ndihmën e partnerëve tanë për të dizenjuar këtë strategji”, tha zëvendëskryeministrja.

Ministrja heksoi se qeveria ka miratuar dhe aktet ligjore dhe nënligjore për t’u ardhur në ndihmë bizneseve të Agroturizmit.

“Duke nisur nga zero taksë për infrastrukturën, tek 6% TVSH apo vetëm 5% tatim fitimi e shumë e shumë ndihma e paketa të tjera mbështetëse të cilat do të aplikohen sigurisht pas gjithë kësaj strategjie të gjatë dhe të mirë studiuar”, shtoi Balluku.

Ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro tha se është e rëndësishme që kjo strategji të kthehet në një instrument dhe në një dokument që të ndihmojë dhe lehtësojë të gjithë sipërmarrësit.

“Ndërsa ministrja Denaj i bëri thirrje për certifikimin e bujtinave, duke kërkuar që pushteti vendor të nxisë sa më shumë investime në këtë fushë.