Deputetët kërkojnë ndryshime në Amnistinë e të burgosurve: Të përfshijë më shumë të dënuar

Mazhoranca ka kërkuar një rishikim dhe zgjerim të përfituesve nga amnistia penale e qeverisë për të burgosurit.

Në mbledhjen online të Komisionit Parlamentar të Sigurisë së projektligjit të qeverisë ku u mbajtën diskutimet, deputeti i Partisë Socialiste, Bujar Çela ka kërkuar që përfitues të Amnistisë të jenë edhe të dënuarit për veprat penale për ndërtimet pa leje, apo edhe ata që janë me detyrim paraqitjeje.

Ai tha:

“Duhet të zgjerohet spektri i përfituesve. Kemi të dënuar që janë rrahur me njeri-tjetrin dhe vazhdojnë të jenë të dënuar sipas Kodit të Procedurës Penale, edhe pasi ata mund të jenë pajtuar pasi ka qenë një zënkë ordinere. Unë dua të di në këtë spektër nuk mund të përfshihen edhe…se dënim është edhe gjoba për disa ndërtime pa leje kasolle, shtesa banjosh, avlli për të sistemuar familjen. Kur themi të përfitojmë duhet të përfitojnë edhe ata që janë me detyrim me paraqitje. Shpresoj që spektri i kësaj amnistie duhet të shtohet akoma më shumë sepse është shumë i cunguar. Shpresojmë që kur ta diskutojmë nen për nen të jetë më i qartë dhe propozimet tona”.

Për zgjerimin e veprave penale që të përfshihen në Aministri ishte dhe ish-ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, i cili deklaroi se disa vepra penale nuk janë perfshirë.

“Disa vepra penale siç është peshkimi i ndaluar. Nëse është i dënuar ju i amnistoni, nëse është në ndjekje penale për peshkim të ndaluar, nuk e amnistoni. Apo prerje të paligjshme të pyjeve. Nëse është i dënuar amnistohet, nëse është në ndjekje penale ku parashikohet deri një vit nuk amnistohet”.

Aktualisht nga Amnistia pritet të përfitojnë rreth 600 të burgosur.

Për herë të parë pjesë e këtij komisioni u bënë edhe deputetët e opozitës, si Ferdinand Xhaferaj dhe deputetja e LSI-së Monika Kryemadhi.