Deputetët e PD-së kërkojnë që të tërhiqet edhe Sali Berisha

Pak orë pasi Lulzim Basha deklaroi dorëheqjen nga drejtimi i Partisë Demokratike, grupi parlamentar i saj ka paraqitur në katër pika qëndrimin e tij për zgjidhjen e situatës. Në njërën nga pikat kërkohet që edhe Sali Berisha të tërhiqet nga synimi i tij për marrjen e drejtimit të PD-së.

Deputetët thonë se e vlerësojnë aktin e Bashës për t’u tërhequr, kjo “si një mekanizëm për zgjidhjen e konflikteve të brendshme brenda partisë”.

Ata bëjnë thirrje që mbështetësit e Berishës, të cilët qenë pezulluar dhe larguar nga grupi parlamentar apo edhe nga partia, të sjellin të njëjtin mekanizëm zgjidhjeje me Berishën.

Në pikat e propozuara ata shprehin gatishmërinë për të negociuar për një zgjidhje të pranueshme dhe për këtë është propozuar ngritja e një grupi ndërmjetësimi nga Partitë Popullore Europiane.

Pas këtyre pikave deputetët e PD-së thonë se partia do mund të bashkohet duke i hapur rrugë riorganizimit në bazë, rrethe dhe strukturën kryesore.