
Deportohet në Francë vrasësi serial i njohur me nofkën “Gjarpri”
Charles Sobhraj, një vrasës serial i njohur me nofkën “Gjarpri” për mënyrën e ndjekjes së viktimave të tij në Tajlandë, u deportua së fundmi në Francë, pasi kaloi rreth dy dekada në një burg në Nepal.
Autoritetet besojnë se Sobhraj mund të jetë autor i më shumë se 20 vrasjeve të turistëve perëndimor në Azi gjatë viteve 70-80-të.
Gjykata e Lartë e Nepalit urdhëroi lirimin e tij pas një raporti mjekësor që citonte gjendjen jo të mirë shëndetësore dhe moshën tashmë 78-vjeçare.
Sobhraj u lind në Vietnam. E ëma ishte indiane, ndërsa babai francez. Për këtë fitoi shtetësi franceze dhe kishte liri lëvizjeje në Azi.
Gjatë lëvizjeve të tij, ai thuhet se grabiste, dhunonte dhe vriste turistë të ndryshëm. Ky aktivitet vijoi të paktën deri në vitin 2003 kur u arrestua dhe dënua në Nepal për vrasjen e dy turisteve ndodhur në vitin 1975.
Me të mbërritur në Paris, policia franceze verifikoi identitetin e Sobhraj dhe e shoqëroi atë nën masa të rrepta sigurie.
Ish-bashkëpunëtorë të Sobhraj, e kanë përshkruar atë si një person të rrezikshëm, të aftë për të joshur, mashtruar dhe vrarë në mënyrë të ftohtë viktimat e tij.
Në vitin 2021, BBC dhe Netflix prodhuan një serial dramatik bazuar në historinë e vrasjeve të supozuara të Sobhraj.
Policia në Tajlandë thotë se ai vrau gjashtë gra në vitet 1970, disa prej të cilave u gjetën të vdekura në plazh.
Por përpara se të dilte në gjyq atje, ai u burgos në Indi për helmimin e një grupi turistësh francezë në Nju Delhi në vitin 1976.
Mbetet e paqartë nëse Sobhraj do të përballet me akuza penale në Francë, por dënimi maksimal i parashikuar për krimet më të rënda atje është 20 vjet.
*Tibo News.