‘Deportim, jo ekstradim për kriminelët e strehuar në Dubai’

Ministri i Brendshëm Taulant Balla deklaroi se personat që kërkohen nga drejtësia shqiptare, por që kanë si strehë qëndrimi Dubain, mund të rikthehen falë një marrëveshjeje deportimi që pritet të nënshkruhet në Janar me Emiratet e Bashkuara Arabe. Për këtë kategori nuk do të ketë ekstradim, por me Interpolin po synohet deportimi, e si precedent është edhe rasti i Behar Bajrit.Për arrestimin e të shumëkërkuarit Dritan Rexhepi në Turqi meritën ia njohu autoriteteve italiane, por tha se po punohet me shtetin fqinj që ekstradimi i tij të bëhet nga Shqipëria.

Pranoi që në komunikimet përmes telefonave të koduar si SKY ECC dhe Enchro Chat ka patur edhe punonjës të Policisë së Shtetit, arsye që thotë se e ka detyruar të ndërmarrë masa shtesë për të parandaluar çdo infektim të mëtejshëm në radhët e uniformave blu. Ndonëse flet për një kontroll të territorit, ministri Balla thotë se Tirana, Durrësi, Elbasani, Shkodra Vlora, Elbasani mbeten qytetet me prani më të madhe të eksponentëve të krimit.

Balla tha se nga Korriku i vitit të ardhshëm, pritet të ketë një rritje 30% e pagës për punonjësit e policisë. Ndërsa për uniformat blu që përjashtohen nga vettingu në polici ka propozuar të zbatohet standarti me gjyqtaret, që të mbesin 15 vite jashtë Policisë së Shtetit.