Dell dhe HP pritet të shkëpusin lidhjet me furnitorët kinezë

Kompania amerikane Dell planifikon të ndalojë përdorimin e të gjithë çipave kinezë, plan që synon ta arrijë në vitin 2024.

Lajmi u raportua nga gazeta japoneze Nikkei këtë javë dhe nëse rezulton të jetë e vërtetë do të jetë një tjetër ndarje e fortë mes boshteve kryesore të teknologjisë botërore.

Sipas raportimit gjigandi amerikan i kompjuterëve thuhet se u ka thënë furnitorëve që të zvogëlojnë edhe sasinë e pjesëve të tjera të prodhuara në Kinë.

Kompania u ka thënë prodhuesve të bordeve dhe çipave që t’i marrin komponentët kryesorë nga prodhuesit vietnamezë apo taivanezë.

Vendimi vjen pasi Shtetet e Bashkuara shtuan prodhuesin kinez të çipave YMTC në listën e zezë tregtare.

Po kështu SHBA shtoi edhe 21 kompani të tjera kineze që punojnë në fushën e prodhimit të çipave të inteligjencës artificiale.

Në tetor, administrata Biden publikoi një grup rregullash që synonin të kontrollonin më imtësisht importet dhe eksportet.

Masat parashikonin edhe ndërprerje të furnizimeve dhe eksporteve nga Kina me çipa të caktuar të prodhuar me mjete amerikane kudo në botë.

Në raportimin e bërë këtë javë, gazeta japoneze Nikkei tha se rivali i kompanisë amerikane Dell, HP ka filluar gjithashtu të flasë me furnitorët e saj për shkëputjen e lidhjeve me prodhuesit nga Kina.

Momentalisht ky raportim nuk ka gjetur konfirmim zyrtar nga kompanitë amerikane.

*Tibo News.