Del Potro afër “pensionit”?

Juan Martin Del Potro i përlotur njoftoi gjatë fundjavës se po konsideronte një pension të menjëhershëm nga sporti i tenisit, duke shpjeguar se lëndimet e përsëritura mund të nënkuptojnë që dy turnetë në Argjentinë dhe Brazil këtë muaj mund të jenë “ndoshta” të fundit të tij.

“Kam kërkuar që ta nis këtë konferencë për shtyp vetë për t’ju përcjellë një mesazh të gjithëve, një mesazh të cilin e kam menduar dhe imagjinuar prej kohësh. Mendoj se është një nga mesazhet më të vështira që kam pasur ndonjëherë, sepse të gjithë shpresojnë që unë do t’i rikthehem tenisit. Ndoshta nuk do të jetë kështu dhe kam frikë se këta turne do të jenë më shumë një lamtumirë sesa një rikthim.”

Argjentinasi ka luajtur për herë të fundit një ndeshje turneu në qershor 2019. Ai dëmtoi gjurin dhe që atëherë ka luftuar për të rifituar gjendjen e plotë e të shëndestshme.

Ish-numri tre i botës ka fituar 22 tituj në Shoqatën e Tenistëve Profesionalë që kur u bë profesionist në vitin 2005, duke përfshirë edhe US Open 2009, e cila ishte fitorja e tij më e madhe.

Del Potro do të marrë pjesë në fushë në “Argentina Open” të martën, ndërsa “Rio de Janeiro Open” fillon më 12 shkurt.