Del para gjykatës babai i 14-vjeçares që u vra në Maqedoninë e Veriut

Aleksandar Gjorçevski, babai i 14-vjeçares që u vra në Maqedoninë e Veriut, ka dalë pasditen e djeshme para gjyqtarit për procedurë paraprake në Gjykatën Penale në Shkup.

Gjorçevski akuzohet si bashkëpunëtor në vrasjen e vajzës së tij, duke iu dhënë informacione për lëvizjen e saj, personave që e rrëmbyen.

Sipas informacioneve, Prokuroria ka kërkuar paraburgim prej 48 orëve me qëllim që të mos pengohen hetimet. 14-vjeçarja është grabitur para hyrjes së ndërtesës ku ka jetuar. Rrëmbyesit ia kanë lidhur duart dhe këmbët, e kanë mbuluar me thes dhe e kanë vendosur në bagazhin e makinës “Citroen”. Para makinës ka patur një automjet tjetër.

Viktima është dërguar në një lokacion jashtë Shkupit, afër fshatit Brazdë – Çuçer Sandevë, ku është kryer vrasja, e më pas është djegur makina me të cilën është rrëmbyer.

14-vjeçarja është vrarë në përpjekjet për të zhvatur para nga e ëma e saj. Mësohet se e ëma kishte shitur një banesë.