
Dekada e tretë e “DokuFest” në Prizren
Ka nisur më 5 gusht në Prizren edicioni i 21-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër “DokuFest”.
Në edicionin e këtij viti do të shfaqen mbi 250 filma dokumentarë dhe të shkurtër në tetë kategori, në 10 kinema në qytetin simbol të Kosovës.
Për “DokuFest” mund të themi se është ngjarja më e madhe kulturore ndërkombëtare në Kosovë, kjo edhe sipas kryeministrit Kurti.
Më shumë se vetëm ngjarje, DokuFest është institucion i rëndësishëm i krijimtarisë dhe edukimit artistik.
Ky vit i ka bërë organizatorët të rikthejnë edhe programin e filmave për fëmijë “DokuKids” si dhe pjesën muzikore të festivalit “DokuNights”.
Interesimi për të marrë pjesë ka qenë i madh, nga ku nuk mungojnë as vendet aziatike.
Në këtë edicion në programin kombëtar të festivalit, ku garojnë 15 filma, 5 prej tyre janë nga Kosova.
Ndër të tjera nuk kanë munguar as panelet e diskutimit masterklasë.
“Do të kemi panele diskutimi për ballafaqim me të kaluarën në bashkëpunim me HLC; për ambientin dhe ndotjen e ajrit me UNDP dhe debate dhe masterklasë për filmin dokumentar dhe industrinë e filmit në Kosovë,”- ka thënë drejtoresha ekzekutive e Festivalit, Linda Llulla.
“Zjarri i Dashurisë” ka qenë filmi që ka hapur edicionin e 21-të të festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe atij të shkurtër.
Filmi hapës është i regjisores amerikane, Sara Dosa, e cila është fituese e çmimit Peabody, si dhe është nominuar për çmimet, Emmy dhe Independent Spirit gjatë karrierës së saj të suksesshme.
Ky edicion i 21-të i “DokuFest” do të zgjasë deri më datë 13 gusht.
Pavarësisht se është futur në dekadën e tretë të ekzistencës, festivali nuk e ka humbur në asnjë moment magjinë.